Kolegjiumi i dekanëve kërkon proces transparent për zgjedhjen e rektorit
BKT
Kosovë

Kolegjiumi i dekanëve kërkon proces transparent për zgjedhjen e rektorit

K.Kasumi/ RTKlive

Kolegjiumi i dekanëve, nën udhëheqjen e ushtrueses së detyrës së rektores, prof. ass. dr. Luljeta Plakolli-Kasumi, sot mbajti takim konsultativ dhe diskutoi rreth zhvillimeve të fundit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Sipas komunikatës për medie nga UP, kolegjiumi i dekanëve i dha mbështetje të plotë ushtrueses së detyrës së rektores, prof. ass. dr. Plakolli-Kasumi, në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive në këtë periudhë tranzitore, duke bërë kërkesë për proces transparent dhe meritor të përzgjedhjes së rektorit të ri të UP-së.

Po ashtu, Kolegjiumi i dekanëve vendosi që Rektorati t’i kërkojë ambasadave të huaja në Republikën e Kosovës dhe organizatave të shoqërisë civile që të monitorojnë procesin e zgjedhjes së rektorit/rektores së re në mënyrë që të ushtrohet transparencë maksimale ndaj çdo faze të përzgjedhjes, përfshirë dhe vetë procesit intervistues.

Vetëm konsensusi me akterët monitorues në këtë proces përzgjedhës mund të ofrojë një kandidat meritor, prandaj i qëndrojmë besnik parimit të hapjes maksimale dhe mbikëqyrjes së meritës së secilit kandidat në mënyrë aktive.

Ndryshe, Naser Sahiti është shkarkuar kohë më parë nga pozita e rektorit të Universitetit të Prishtinës.


MË SHUME NGA Kosovë