Mashtruesit me bileta, paratë i transferuan në disa xhirollogari
BKT
Kosovë

Mashtruesit me bileta, paratë i transferuan në disa xhirollogari

M.Shefkiu/RTKlive

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar masë të paraburgimit ndaj të pandehurve S.I. dhe H.H., për shkak të veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Mashtrimit’’ me bileta avioni.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, nga data 16.12.2020 në vazhdimësi e deri më 30.06.2022, të pandehurit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, u kanë ndihmuar bashkëpronarëve të subjektit “Prishtina Jet” në Prishtinë për të përfituar kundërligjshëm me bileta të aeroplanit.

Sipas Prokurorisë, dy të pandehurit në një marrëveshjeje interne të datës 16.12.2020 të nënshkruar mes të pandehurës S.I. dhe të pandehurit M.K., përfaqësuesi i ‘’Prishtina Jet’’, në këmbim të një kompensimi prej 4 euro për çdo transaksion, kanë hapur një xhirollogari bankare në emër të pandehurës S.I., në një bankë të Lucernit në Zvicër.

Sipas Prokurorisë, personat e dëmtuar, respektivisht të mashtruar nga përfaqësuesit e subjektit ‘’Prishtina Jet’’, përmes kësaj xhirollogarie kanë kryer pagesa për blerjen e biletave fiktive të aeroplanit për të udhëtuar nga shtetet e perëndimit për në Kosovës dhe anasjelltas, me një çmim shumë më të lirë se sa çmimi real.

“Mjetet e mbledhura ua kanë transferuar në xhirollogaritë bankare të pandehurve të subjektit “Prishtina Jet” në Prishtinë dhe atë në shumën prej 227,922.54 CHF, kurse në xhirollogarinë e vet të pandehurit H.H., kanë transferuar shumën prej 26,003.02 CHF si përfitim i kundërligjshëm nga ky aktivitet, në xhirollogarinë Sofia-Bulgari shumën prej 199,873.67 CHF, ndërkaq shumën prej 174,695.36 CHF kanë transferuar në subjektin e regjistruar si Southeast – Slloveni, e cila është në pronësi të pandehurit M.K., ashtu që të gjitha këto transferime janë realizuar për periudhën kohore 01.01.2022 – 30.06.2022”, thuhet në deklaratën e prokurorisë në Prishtinë.

Të pandehurit gjenden në ndalim nga data 28 tetor 2022, me urdhër të Prokurorit të Shtetit.​


MË SHUME NGA Kosovë