Vazhdon avancimi i FSK-së, trajnohen me ushtarët italianë
BKT
Foto: FSK
Kosovë

Vazhdon avancimi i FSK-së, trajnohen me ushtarët italianë

M.Shefkiu/RTKlive

Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) po vazhdojnë avancimin profesional në të gjitha segmentet, njofton ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj. Shkathtësitë tyre profesionale së fundmi, sipas tij, janë sprovuar në kërkim-shpëtimin malor në Qendrën e Alpinizmit Ushtarak në Itali. 

Mehaj tha se në kuadër të bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes me Italinë, specialistët e FSK-së nga Togu i Kërkim-Shpëtimit Malor të Gardës Kombëtare, kanë kryer me sukses trajnimin e kërkim-shpëtimit malor në qendrën e alpinizmit ushtarak në Centro Addestramento Alpino në Aosta të Italisë.

"Gjatë trajnimit, specialistët tanë kanë avancuar shkathtësitë e tyre për qasje tek viktimat në faqe shkëmbore, dhënie të ndihmës së parë, evakuim të viktimave, lëvizje në akullnaja, qasjen në viktimat brenda qarjeve të thella dhe tërheqjen e tyre në vend të sigurt, kërkim në pyje dhe zona malore, si dhe kërkim në ortek duke përdorur pajisje dhe teknika të avancuara”, njofton Mehaj në rrjetin social Facebook.

Njësitet e FSK-së të kërkim-shpëtimit, sipas tij, janë shembull i shkëlqyeshëm i profesionalizmit dhe shërbimit vetëmohues në operacionet e shpëtimit përballë të gjitha sfidave që cenojnë sigurinë e qytetarëve të vendit pa dallim.


MË SHUME NGA Kosovë