Shkollat kanë nevojë për psikologë dhe pedagogë
BKT
Kosovë

Shkollat kanë nevojë për psikologë dhe pedagogë

Ardiana Hajzeri /Radio Kosova

Shumica e institucioneve arsimore në vend përballen me mungesë të psikologëve dhe pedagogëve e të cilët do të kontribuonin në parandalimin dhe trajtimin e problemeve te nxënësit.

Drejtues të institucioneve arsimore kanë bërë të ditur se vetëm 93 psikologë janë të
punësuar në tërë Kosovën dhe se Qeveria ka të miratuar 520 pozita për psikologë shkollorë. Ndërkaq, njohës të arsimit vlerësojnë se shkollat kanë nevojë për psikologë dhe pedagogë.

Ndërkaq, njohës të arsimit vlerësojnë se shkollat kanë nevojë për psikologë dhe pedagogë.

Kosova ka më shumë se 700 institucione arsimore në të cilat janë të punësuar jo më shumë se 93 psikologë. Mungesa e tyre ka pamundësuar parandalimin dhe trajtimin e shumë problemeve te nxënësit, e që në disa raste kanë përfunduar me fatalitet. Punësimin e psikologëve dhe pedagogëve, sipas legjislacionit në fuqi, e kanë obligim komunat, bazuar në formulën e financimit. Këtë e ka konfirmuar për Radio Kosovën ministria e Arsimit, përmes një përgjigjeje me shkrim.

 “Sipas legjislacionit në fuqi, punësimin e psikologëve dhe pedagogëve e kanë obligim komunat, bazuar në formulën e financimit që e kanë. Për sa i përket shifrave që i keni kërkuar, sipas të dhënave të raportuara në Sistemin për menaxhimin e Informatave, aktualisht janë 93 psikologë dhe 61 pedagogë të punësuar në shkollat e Republikës së Kosovës. Roli i psikologëve dhe pedagogëve në shkolla është shumë i rëndësishëm. Në Grantin e arsimit në nivel vendi, Qeveria ka të miratuara 520 pozita për psikologë shkollorë. Për fat të keq, më pak se 1/3 e tyre janë të punësuar.

Si Ministri e Arsimit kemi bërë thirrje te komunat që në kuadër të përgjegjësive të tyre, këtë çështje ta trajtojnë me seriozitet, të shpallin konkurset dhe të mos pranojnë kuadër tjetër për pozitat të cilat i kanë të lejuara për psikologë por edhe për pedagogë.”

Njohës të arsimit e vlerësojnë të rëndësishëm rolin e psikologut dhe pedagogut në shkolla.  Rinor Qehaja, nga instituti “ Edguard”, i tha Radio Kosovës se shkollat kanë nevojë për psikologë, në mënyrë që të parandalojnë dhe trajtojnë probleme të ndryshme psiko - sociale në mesin e nxënësve.

 “Të gjitha shkollat, pa marrë parasysh numrin e nxënësve, kanë nevojë për psikologë, mirëpo, jo për psikologë si pozitë administrative por për psikologë që janë në përfshirë në përditshmëri në punë me nxënës, që me përkushtim dhe në komunikim me mësimdhënës dhe prindër  identifikojnë, parandalojnë dhe trajtojnë probleme të ndryshme psiko-sociale në mesin e nxënësve. Psikologët të përkrahen me programe të zhvillimit profesional për t’u siguruar që puna e tyre është e ndërtuar mbi metodologji të mirëfillta të ofrimit të shërbimeve në shkollë. E rëndësishme, përveç psikologëve vetëm, është vetëdijesimi i komunitetit të shkollës për komunikimin të pa hezituar me psikologët për probleme të ndryshme psiko-sociale të të gjithëve në shkollë”, ka thënë Qehaja.

Ndërkohë, Komuna e Prishtinës ditë me parë ka hapur konkursin për punësimin e 25 psikologëve shkollorë. Problemi i numrit të psikologëve në shkolla është problem që paraqitet ndër vite dhe ende nuk ka gjetur zgjidhje.


MË SHUME NGA Kosovë