Hulumtim nga RTK| Vendpushimet e seksit, por edhe përdhunimeve |Video
BKT
Foto: Emisioni
Kosovë

Hulumtim nga RTK| Vendpushimet e seksit, por edhe përdhunimeve |Video

Kaltrina Rexhepi/RTK

Dhuna seksuale viteve të fundit në Kosovë, është bërë shumë prezentë. Viktimë janë edhe të miturit.

Kjo gjë është vërtetuar edhe gjatë hulumtimit të emisionit “Udhëve” në RTK, ku se bashku me një fëmijë të mitur, janë vizituar disa lokacione të moteleve/pushimoreve në Kosovë.

Në motelin e parë, ekipi së bashku me fëmijën, kanë qëndruar për rreth 30 minuta, dhe askush nuk ka reaguar dhe identifikuar. Askush nga ky motel nuk ka kërkuar sqarime se përse me disa të rritur, është edhe një vajzë rreth 15 vjeç.

Një situatë e tillë është përsëritur edhe në katër motele/pushimore të tjera.

Në asnjërin nga këto vende punonjësi i vilave nuk ka kërkuar të identifikojë personat që kanë hyrë në atë vend. Ata thjesht i marrin paratë në një dritare të vogël, të krijuar enkas për pagesë dhe largohen.

Në njërin nga motelet, ishte e shkruar edhe pllaka që ndalon hyrjen e personave nën moshën 18-të vjeç, por askush nuk ka kërkon kartë identiteti për verifikimin e vizitoreve.

Dhunimi i 11-të vjeçares që dyshohet e është kryer nga disa persona, muaj më parë, tronditi vendin. Por  para saj, ka pasur edhe ngacmime e raportime edhe për dhunime të tjera.

Kundër dhunimit të 11-të vjeçares u ngritën të gjithë në këmbë, pozitë dhe opozitë.

Presidentja dhe kryeministri i Kosovës kërkuan zbatim të ligjit dhe dënimin maksimal ndaj dhunuesve.

Dhunimi i 11 vjeçares, përveç që kishte ndodhur në park të qytetit, para kësaj kishte ndodhur edhe në disa motele në regjionin e Prishtinës.

Kjo nuk është hera e parë që raportohet për përdhunime ku si lokacion përdoren motelet. Edhe sipas Policisë së Kosovës është i konsiderueshëm numri i viktimave të përdhunimit që kanë raportuar se përdhunimi ka ndodhur në lokacione të tilla.

“Në vitin 2020 dhe në vitin 2021 dhe janar-shtator 2022, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore  ka identifikuar gjithsej 35 raste ku viktimat janë dërguar për shfrytëzim në motele të ndryshme”, kanë thënë Policia e Kosovës.

Në mesin e këtyre viktima ka edhe të mitura. Abuzimi me to do të mund të ishte parandaluar, po që se, në hyrje të moteleve, punonjësit e këtyre bizneseve do  ta kishin zbatuar ligjin për vendbanime dhe vendqëndrim, i cili e precizon identifikimin e personave si dhe të drejtën që të miturit të kenë qasje në këto lokacione.

Për këtë çështje kanë reaguar edhe Koalicioni për Mbrojtje të Fëmijëve në Kosovë, (KOMF), duke thënë se fëmijët në Kosovë janë të rrezikuar.

Sipas Policisë së Kosovës, vetëm në 3 vjetët e fundit janë raportuar 239 viktima të dhunimit dhe tentim dhunimit në Kosovë.

Policia e Kosovës përmes një përgjigje me shkrim kanë thënë se vendet e tilla siç janë motelet janë vendet që abuzuesit i përdorin më së shumti.

Sipas deklarimit tatimor që këto biznese kanë bërë vetëm për 6 mujorin e parë të këtij viti, numri i frekuentimeve është i madh. 35.6 milion euro, është qarkullimi ku në arkën e shtetit kanë paguar 1.8 milion euro. Në këtë listë hyjnë 442 biznese të tilla.

Ndërsa sipas ARBK-së, 218 biznese janë të regjistruara në Kosovë në sektorin e pushimeve të shkurta ku hyjnë motelet.

 


MË SHUME NGA Kosovë