Radojeviq: Presim të shohim si do të zbatohet vendimi për targat
B.H./RTKlive
Policia e Kosovës ka nisur sot me fletëqortimet e para për pronarët e veturave me targa ilegale në veri të vendit. Kjo vjen pasi në mesnatë ka hyrë në fuqi masa e Qeverisë për zbatimin e vendimit për konvertim të targave ilegale në ato RKS.
Kryetari i komunës së Mitrovicës së veriut, Milan Radojeviq, ka thënë se policia e Kosovës në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak ka filluar të lëshojë fletëqortimet për qytetarët të cilët kanë vetura me targa ilegale.
“Serbët në veri nuk janë kërcënim për askënd. Ne duam të jetojmë një jetë të denjë. Nga ana jonë nuk do të ketë incidente apo probleme deri në shqiptimin e gjobës së parë, e cila sipas paralajmërimeve mund të ndodhë pas 21 ditësh. Por do të shohim se cili është realiteti në terren”, ka theksuar Radojeviq për mediat serbe.
Ai theksoi se qytetarët serbë janë të vendosur që të mos bëjnë asnjë ndryshim kur bëhet fjalë për targat.
"Pyetja është se si do të zbatohet ky vendim në terren, për sa i përket gjobës", ka shtuar Radojeviq.
Ai nuk ka përjashtuar mundësinë e barrikadave në rrugë, por ka thënë se paqja dhe stabiliteti janë në interes të serbëve.























