Hasanaj: Për ruajtjen e mjedisit të krijohet Policia e Gjelbër
BKT
Kosovë

Hasanaj: Për ruajtjen e mjedisit të krijohet Policia e Gjelbër

M.Miftari/RTKlive

OJQ “Let’s Do It Kosova”, e njohur me aktivitete të shumta për ruajtjen e mjedisit, së voni është angazhuar në monitorimin e zbatimit të udhëzimit administrativ për gjoba mandatore, që ka të bëjë me ruajtjen e mjedisit.

Se sa gjoba janë shqiptuar nga Policia dhe inspektorët në mbarë vendin dhe për arsyen e shqiptimit të këtyre gjobave, duke shkaktuar dëmtimin e mjedisit, Luan Hasanaj, nga OJQ, “Let’s Do It Kosova”, njoftoi se që nga janari e deri në muajin gusht të këtij viti janë shqiptuar 285 gjoba mandatore për ruajtjen e mjedisit.

Hasanaj theksoi se për dënimet me gjoba për ndotje të mjedisit nuk do të ishte askush, por kur njerëzit bëjnë shkelje atëherë gjoba është njëra prej masave që ndikon në rritjen e vetëdijes për të mos u përsëritur gabimet që dëmtojnë mjedisin.

“Kur shohim nivelin e ndotjes së mjedisit, me keqardhje mund të them se këto gjoba janë pak, ngase një pjesë e shoqërisë sonë po vazhdon të veprojë në dëm të mjedisit ku jetojmë”, tha Luan Hasanaj, nga OJQ “Let’s Do It Kosova”, në “Aktual”, RTK.

Ai kritikoi edhe bizneset që bëjnë deponi ilegale, duke dëmtuar mjedisin.

Sipas një inspektimi të kryer nëpër komunat e Kosovës, nga muaji janar deri më gusht të këtij viti, vetëm tri komuna janë pa gjoba: Podujeva, Istogu dhe Mamusha, derisa komuna që ka dhënë më së shumti gjoba është ajo e Mitrovicës.

Lidhur me këtë Hasanaj shtoi se pothuajse të gjitha komunat janë të njëjta, ndërkohë që bëri të ditur se këto komuna nuk kanë inspektorë përkatës, teksa sqaroi udhëzimin administrativ për zbatimin e gjobave mandatore, ku përfshihen gjobat që nga hedhja e cigares deri te zjarrvënia, por që, sipas tij,  një problem më vete është inkasimi i këtyre gjobave.

Hasanaj, tutje, tha se për të pasur një mjedis të pastër duhet ngritur kapacitetet në sferën e inspektimit. Ai më  tej përmendi alternativën për të dalë nga kjo gjendje, që sipas tij është krijimi i, siç tha ai, “Policisë së Gjelbër”, që do të merrej me këtë aktivitet, meqë Policia nuk po arrin të kryejë punët në zbatimin e udhëzimit administrativ për gjobat mandatore. Veç kësaj alternativë tjetër është “Grupi i kujdestarëve mjedisor”, ku do të inkuadroheshin veteranët në ushtrimin e këtij aktiviteti, që do të ndikonte në zbutjen e papunësisë pa dëmtuar buxhetin e shtetit.


MË SHUME NGA Kosovë