Nagavci për rastin e të moshuarës: Sot jemi tronditur
Emine Hoti/RTKlive
( E plotësuar) Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka reaguar për rastin e të moshuarës që u rrah nga infermieret në qendrën “Orenda” në Pejë.
Në një postim në Facebook, Nagavci ka thënë se dhuna, në çfarëdo forme, është e papranueshme, është akt i lig, i shëmtuar dhe i dënueshëm.
“Dhuna, në çfarëdo forme, është e papranueshme, është akt i lig, i shëmtuar dhe i dënueshëm, prej kujtdo që ushtrohet, sidomos kur bëhet fjalë për kategori të ndjeshme. Të gjithë jemi të ndjeshëm përballë nënave, sepse nënat janë sinonim i mirësisë dhe dashurisë së pafundme. Aq më tepër, kur bëhet fjalë për një nënë, që në qenien e vet ka bartur dhimbjen e madhe për djalin e saj dëshmor. Edhe më të dhimbshëm e bën fati, që Nëna ishte edhe e sëmurë!Shqetësues është edhe fakti se, si shoqëri kemi një gjendje të re: atë kur këto sjellje dhune pranohen si normale, e reagimet janë kolektive në rastet si kjo, kur shpërfaqet brutalitet ekstrem”, shkroi ajo në Facebook.
Ajo tha se roli i edukimit brenda institucioneve arsimore është kyç .
“Në këtë drejtim, roli i edukimit brenda institucioneve arsimore është kyç, sepse jemi përgjegjës për të krijuar gjenerata që sigurojnë vazhdimësinë e vlerave njerëzore, edhe në rastet kur familja për arsye të ndryshme mund të mos arrijë të transmetojë vlerat e domosdoshme morale, gjë që qon edhe tek formësimi i karaktereve që ushtrojnë dhunë, madje edhe ndaj kategorive më të ndjeshme të shoqërisë, madje edhe në institucionet që do duhej të ofronin sigurinë e mirëqenien”.
Ajo ka ftuar mësimdhënësit, prindërit, shoqërinë civile, mediat dhe të gjitha qytetarët që të punojnë bashkë me institucionet përgjegjëse qendrore e lokale në edukimin e gjeneratave të reja dhe ngritjen e vetëdijes shoqërore për respektim të vlerave e kujdesin sidomos ndaj kategorive më të ndjeshme.
“Të gjithë bashkë të kujdesemi për një kulturë ku respektohen vlerat, për respektim të rendit e rregullave, për norma të mirësjelljes, për kujdes të veçantë ndaj kategorive të ndjeshme, e sidomos për të moshuarit, sepse ata janë prindërit tanë. Vetëm kështu bota dhe liria do të jetë më e mirë për të gjithë e shumë më e bukur për secilin”, ka shkruar ajo.
Rasaj: Ngjarja e sotme na ka lënduar shumë
( E plotësuar) Njëri ndër aksionarët kryesor të shtëpisë për të moshuar në Pejë, “Orenda”, Anton Rasaj, ka mbajtur konferencë për media.

“Ju kërkojmë ndjesë për pamjet e rënda që na kanë goditur secilin. Unë Anton Rasaj sot si aksionari më i madh në shoqërinë ‘Orenda’ në Pejë kam rastisur të jem këtu me familje. Me urgjencë kam marr veprimet personalisht.Unë jam investitor, kursimet e fituara jashtë vendit me familje vendosem t’i investojmë në vendlindje. Kemi punësuar personel dhe jemi kujdesur që të krijojmë vende pune për bashkatdhetarët tonë dhe të kujdesemi që të ketë maksimalisht sjellje profesionale nga personeli në qendrën tonë, por ja që situata në fjalë na ka lanë pa fjalë dhe plotë mllef. Na janë besuar prindër të familjarëve, për çka ngjarja sot na ka lënduar shumë sa nuk gjejmë fjalë të shprehim këtë indinjatë”, tha ai në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën në mbrëmje.
Ai ka njoftuar se pas ngjarjes menjëherë i ka larguar nga puna personelin në fjalë dhe ka kërkuar që me shpejtësi të veprohet, për dëmin e shkaktuar.
“I ftoj organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre me efikasitet dhe që të njëjtat të marrin dënimin e merituar.. I sigurojmë familjet dhe gjithë Ju se do të ndërmarrim çdo veprim të nevojshëm. E përsëris, më vjen shumë keq, e di që ky njoftim nuk ju heq dhimbjen secilit nga Ju, posaçërisht familjes së zonjës së respektuar, por Ju premtoj se do të bëj gjithçka që është në mundësinë tonë”, ka tha Rasaj. Ai bëri me dije se jeton dhe vepron në Zvicër.
Kurse Islam Husaj, mjek në këtë qendër, mohoi se në këtë qendër ka pasur dhunë më herët. “Nuk ka banor që janë larguar, të gjithë janë këtu”, tha ai.
Ndryshe Policia e Kosovës ka shkuar në qendrën “Orenda” në Pejë. Sipas gazetarit, të RTK-së, Ahmeti Maholli, atje është arrestuar burri i njërës nga infermieret.

Ministria e Shëndetësisë dënon dhunën e ushtruar ndaj të moshuarës
(E plotësuar, ora 18:20) Vazhdojnë reagimet pas publikimit të videos ku shihet infermierja e një shtëpie private të të moshuarve në Pejë duke sulmuar me shuplaka e shqelma një të moshuar në Pejë. 
Ministria e Shëndetësisë e dënon dhunën e ushtruar ndaj të moshuarës dhe sjelljen jo-njerëzore të infermiereve, që ka ndodhur në Shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë.
"Inspektoriati Shëndetësor ka qenë sot për inspektim në këtë institucion privat në të cilin jepen dhe shërbime të përkujdesit shëndetësor. Të arrestuarat dhe të përfshirët në ngjarje janë të profesionit infermiere, të licencuara nga Oda e Infermierëve, Mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë", thuhet në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.
Pas inspektimit, Raporti i Inspektoriatit Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë do t’i dërgohet Odës, institucion ky i pavarur, me qëllim marrjen e masave konform ligjit, statutit, rregullave dhe kodit etik në fuqi.
"Mbesim të përkushtuar për të ruajtur dinjitetin e çdo pacienti dhe të qytetarëve në përgjithësi kur përkujdesi i tyre u besohen profesionistëve shëndetësorë. Çdo abuzim me këtë besim do të ketë reagimin tonë të pa kompromis. Të njëjtën besojmë që do ta kenë dhe Odat e profesionistëve shëndetësorë", thuhet në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.
Haxhiu për rastin në Pejë: Hetimet duhet të thellohen
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka dënuar ashpër rrahjen e një të moshuare nga punonjëset e një qendre të të moshuarve në Pejë.Ajo ka thënë se hetimet në lidhje me rastin duhet të thellohen. 
Në një postim në Facebook, Haxhiu ka thënë se bashkëpunimi i qytetarëve me institucionet, është i nevojshëm për të zbuluar edhe raste të tjera të dyshuara.
“Sjellja abuzuese e mizore, ndaj një të moshuare në Pejë, na ka tronditur të gjithëve. Në këto momente institucionet përgjegjëse, policia dhe prokuroria, janë duke e bërë punën e tyre dhe disa nga personat e dyshuar janë arrestuar".
"Abuzimi që pamë sot, nuk mund të jetë i vetmi prandaj qytetarët duhet të bashkëpunojnë me institucionet në rast të dyshimeve për keqtrajtimin e familjarëve në shtëpinë e të moshuarve në Pejë, apo edhe në qendrat tjera të kujdesit ndaj këtyre kategorive. Hetimet duhet të thellohen”, ka shkruar ajo.
Ajo ka thënë se edhe menaxhmenti duhet të jep llogari për keqtrajtimin e qytetarëve në ato ambiente.
Aksionari i “Orendas” i fton organet e drejtësisë që ta hetojnë rastin e të moshuarës
Edhe aksionari kryesor i shtëpisë për të moshuar në Pejë, “Orenda”, Anton Rasaj, ka dalë me reagim.
“Ju kërkojmë ndjesë për pamjet e rënda që na kanë goditur secilin! unë Anton Rasaj sot si aksionari me i madh ne shoqërinë Orenda në Pejë kam rastisur të jem këtu me familje. Me urgjencë kam marr veprimet personalisht! Unë jam investitor, kursimet e fituara jashtë vendit me familje vendosem ti investojmë në vendlindje. kemi punesuar personel dhe jemi kujdesur që të krijojmë vende pune për bashkatdhetar tonë dhe të kujdesemi që të ketë maksimalisht sjellje profesionale nga personeli në qendrën tonë, por ja që situata në fjalë na ka lanë pa fjalë dhe plotë mllef. Na janë besuar prindër të familjarëve, për çka ngjarja sot na ka lënduar shumë sa nuk gjejmë fjalë të shprehim këtë indinjatë”, k shkruar ai në “Facebook”.
Ai ka njoftuar se pas ngjarjes menjëherë i ka larguar nga puna personelin në fjalë dhe ka kërkuar që me shpejtësi të veprohet, e për dëmin e shkaktuar.
“I ftoj organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre me efikasitet dhe që të njëjtat të marrin dënimin e merituar!. I sigurojmë familjet dhe gjithë Ju se do të ndërmarrim çdo veprim të nevojshëm! . E përsëris, më vjen shumë keq, e di që ky njoftim nuk ju heq dhimbjen secilit nga Ju, posaçërisht familjes së zonjës së respektuar, por Ju premtoj se do të bëj gjithçka që është në mundësinë tonë”, ka shkruar Rasaj.
Suspendohen nga puna katër infermieret në Pejë
Bordi shtëpisë për të moshuar në Pejë, “Orenda’, ka suspenduar sot nga puna katër infermiere.
“Pas njoftimit për sjelljet e pahijshme të punëtores A.P (ushtrim i dhunës ndaj banueses në kohën e kujdestarisë) merret vendimi si më lartë. A.P suspendohet nga puna për veprën e bërë, ndërsa A.R, R.K dhe G.N për faktin se kanë qenë në ndërrim bashkë me A.P por nuk e kanë lajmëruar rastin tek përgjegjësit”, thuhet në vendim.

Abdixhiku: I shokuar e tronditur nga dhuna e ushtruar ndaj një zonje të moshuar
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumri Abdixhiku, tha se është i shokuar e tronditur nga dhuna e ushtruar ndaj një zonje të moshuar.
“Edhe më shumë nga indiferenca e vëzhgueseve të kësaj dhune. Pafuqia e asaj zonje, thirrjet e saj që s’kish kush t’i dëgjonte aty, duhet të shërbejnë si zë zgjimi për çdo institucion shtetëror sot”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Sipas tij ngjarjet si këto nxjerrin anën më të errët të shoqërisë sonë. “Ato përveç se të këpusin emocionalisht, të dërmojnë me realitetin e hidhur tek i cili jo rrallëherë po përfundojmë. Kapërcimi nga një shoqëri që respektonte më të vjetrin, në një që ushtron dhunë ndaj tyre në tallje e përqeshje - është përfundim i trishtë. Dhuna është problemi ynë shoqëror; dhe kundër saj duhet dhe do të ngritemi të gjithë”, tha ai. 
Ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Përmes një reagimi publik Muhaxheri ka thënë se Komuna e Pejës nuk menaxhon me asnjë institucion i cili ofron shërbime gariatrike, derisa ka ftuar inspektoratin e shëndetësisë dhe dhe organet e rendit për trajtim të rastit.
Reagime pati edhe nga deputet të Kuvendit. Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shohi ka thënë se do të kërkojë që rasti të trajtohet edhe në komisionin për të drejtat e njeriut
“Si qenie njerëzore të dhemb zemra kur sheh se gjenerata më e çmuar që kërkon kujdes trajtohet në këtë mënyrë. Si deputete dhe anëtare e Komisionit për të Drejta të Njeriut do të kërkoj që ky rast të trajtohet edhe ne komision”, ka shkruar ajo derisa ka kërkuar që ndaj sulmueseve të jepet dënimi maksimal.

E ashpër në reagim ka qenë edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
“Jam e tmerruar nga lajmi me video që po qarkullon në medie, ku një e moshuar, në një ''shtëpi të kujdesit për të moshuarit'' torturohet në mënyrën më barbare të mundshme. Aty po aq fajtore janë ato tjerat që qeshin derisa kolegeja e tyre është në aksion. Gjest i poshtër, i ulët dhe barabar!, ka shkruar ajo.

Heqjen e licencës ndaj infermiereve të përfshira në sulmin ndaj të moshuarës e ka kërkuar edhe Rrjeti i Grave të Kosovës.
Në një reagim ky rrjet ka thënë se me shqetësim po përcjellë rastin që ndodhi në Shtëpinë e Pleqve në Pejë.
“RrGK përmes këtij reagimi kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që t’u hiqet licenca të gjitha infermiereve të përfshira. Gjithashtu, RrGK kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që të largojë licencën e operimit të qendrës “Orenda”, pasi që shihet se sipas rastit të fundit, në këtë qendër ndodhë keqtrajtimi me persona të moshuar”, shkruan tutje në reagimin e RrGK-së.
Kanë ftuar Policinë të arrestojë të gjitha infermieret e pranishme.
Ndaj rastit ka reaguar edhe nënkryetari i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së.
Enlirat Duraku ka kërkuar që nga infermierët e infermieret e Kosovës që të distancohen publikisht, derisa i ka bërë thirrje Odës së Infermierëve të Kosovës që përjetësisht t’ia revokojë licencën e punës.
“Secili infermier, secila infermiere duhet sot të distancohet publikisht, sepse kjo që shihet në video nuk e përfaqëson profesionin e infermierit, ndërsa edhe ato të tjerat të cilat qeshnin edhe pse e kishin mundësinë që ta ndalojnë abuzimin dhe sulmin ndaj qytetares së moshuar në video nuk i bëjnë nderë as vetes së tyre, e as profesionit të infermierit”, ka thënë ai.
























