Shënohet 33 vjetori i rënies së dy heronjve dhe dita e shkollës
BKT
Kosovë

Shënohet 33 vjetori i rënies së dy heronjve dhe dita e shkollës

V. Thaçi / RTKlive

Në fshatin Shakovicë të qytetit të Podujevës u shënua dita e shkollës "Afrimi e Fahriu" dhe u bënë homazhe në përvjetorin e 33-të të rënies së dy heronjve.

Nënkryetarja e Komunës, Marigona Lahu, kryesuesi i Kuvendit, Hilmi Hoxha, drejtori i Arsimit, Avni Fetahu dhe drejtorë të tjerë të komunës ishin të pranishëm në manifestimin e organizuar për nder të ditës së Shkollës Fillore të Mesme të Ulët, "Afrimi e Fahriu".

Sipas Zyrës për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim të Komunës, në këtë organizim ishin të pranishëm, familjarë të heronjve, familje të dëshmorëve të UÇK-së, personel arsimor, këshilli i shkollës, pjestarë të KFOR-it, nxënës dhe prindër.

Nënkryetarja Lahu në fjalën para të pranishmëve ka thënë: Sot kur po e shënojmë ditën e shkollës këtu në fshatin Shakovicë, kemi edhe përvjetorin e 33-të të rënies së dy dëshmorëve Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, të cilët flijuan jetën e tyre për lirinë e Kosovës.

“Gjaku i tyre i derdhur për liri frymëzoi popullin dhe rininë e Kosovës që të përshpejtohet organizimi i luftës çlirimtare dhe kundërvyerja ndaj armikut. Lavdi jetës dhe veprës së dy dëshmorëve Zhitia e Fazliu! Lavdi gjithë dëshmorëve të kombit!”, ka thënë ajo.

Personeli arsimor i shkollës bashkë me nxënësit në kuadër të këtij manifestimi kishin përgatitur program të pasur artistik e kulturor në shënim të kësaj ngjarje.

Pas kësaj një delegacion nga komuna të prirë nga nënkryetarja Lahu dhe kryesuesi Hoxha, vendosën lule të freskëta pranë obeliskut të heroit Afrim Zhitia, në nderim të jetës dhe veprës heroike të tij.


MË SHUME NGA Kosovë