Refuzoi zbatimin e vendimit për targat, suspendohet nga detyra Nenad Gjuriq
V. Thaçi / RTKlive
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, me rekomandim të Inspektoratit të Policisë, ka suspenduar nga ushtrimi i detyrave të përgjithshme të punës dhe autorizimeve policore, drejtorin rajonal të Mitrovicës Veri.
Kjo, sipas arsyetimit zyrtar, për mosrealizim të autorizimeve ligjore dhe zbatim të vendimeve zyrtare.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, suspendimi i tij është mbështetur në autorizimet ligjore, Udhëzimin Administrativ për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në policinë e Kosovës dhe rekomandimit të IPK-së.
E pas këtij vendimi, ka reaguar kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili ka bërë të ditur se për të shtunën, ka caktuar një takim urgjent me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës në veri të vendit.
“Do t’u propozoj që të gjithë serbët të largohen nga institucionet e Kosovës në veri, duke filluar nga unë personalisht, por edhe nga vetëqeverisja lokale, nga prokuroria, nga gjykata, nga policia dhe nga të gjitha autoritetet tjera”, ka thënë Rakiq, në një deklaratë për media.
Suspendimi nga detyra i i drejtorit rajonal të Mitrovicës Veriore, Nenad Gjuriq,është bërë pasi i njëjti dyshohet se ka refuzuar të bëjë shqiptimimin e qortimeve ndaj qytetarëve serbë për targat.
E ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, reagoi pas suspendimit të drejtorit të Policisë në Veri, Nenad Gjuriq.
Ai tha se refuzimi i zbatimit të vendimit të Qeverisë për targat, është “cënim i rëndë i sigurisë dhe stabilitetit të vendit tonë”.
“Në kuptim të këtyre veprimeve të përsëritshme, pas kërkesës së Inspektoriatit Policor të Kosovës dhe inicimin e hetimeve penale, është suspenduar Drejtori Rajonal i Policisë në Mitrovicën e veriut, Nenad Gjuriq”, deklaroi Sveçla.
Sipas tij, Policia e Kosovës është një dhe të gjithë pjesëtarët e saj duhet të kenë të njëjtin mision: sundimin e ligjit dhe krijimin e ambientit të sigurtë për të gjithë qytetarët pa dallim.
“Nuk do të lejojmë asnjë veprim që cënon këtë mision dhe bashkë me Policinë e Kosovës do të vazhdojmë zbatimin e tij”.























