Artpolis: Dënimi për gratë që ushtruan dhunë, domosdoshmëri
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Organizata Jo-Qeveritare Artpolis në të cilën bën pjesë edhe Kaltrinë Zeneli, aktorja që publikoi videon e sulmit ndaj të moshuarës në një qendër kujdesi në Peje, ka dënuar dhunën e ushtruar nga infermieret e kësaj qendre.
“Dhuna ndaj gruas në shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë, përveç që është shqetësuese dhe e tmerrshme, shpërfaq përbrendësimin e patriarkatit edhe tek disa gra. Prandaj, dënimi për gratë që ushtrojnë dhunë ndaj gruas së moshuar sipas ligjeve në fuqi është domosdoshmëri”, thuhet në letrën e tyre.
“Artpolis është kundër gjykimit nga turma, prandaj iu bëjmë thirrje institucioneve shtetërore që të sjellin drejtësi për secilën grua, për secilën viktimë të dhunës së burrave apo grave, pa dallim”.
Tutje kjo organizatë thotë se përherë do të jetë në mbrojtje të grave artiste dhe aktiviste që angazhohen për drejtësi dhe barazi.
“Kjo nuk është ndryshe as me aktoren e Trupës Artistike Rezidente të Artpolis, Kaltrinë Zeneli, e cila ka denoncuar rastin publikisht, përkundrazi. Guximi i Kaltrinës na inspiron dhe motivon që të angazhohemi edhe më fuqishëm si organizatë për të drejtat e grave dhe grupeve të margjinalizuara”.
Aty thuhet se zërat kërcënues ndaj Kaltrinës vetëm sa i forcojnë bindjen se angazhimi kundër dhunës sjellë çdo ditë e më afër lirisë, drejtësisë dhe barazisë.
“Zmbrapsja për ne nuk është opsion, kurrë nuk do të jetë. Jemi këtu për t’i thënë stop dhunës, dhe po fuqizimit të grave dhe emancipimit shoqëror”, përfundon reagimi i organizatës, Artpolis.























