30 ditë paraburgim për tri ish-infermieret që sulmuan të moshuarën në Pejë
Islam Haxhiu/RTK
(E plotësuar) Gjykata Themelore në Pejë i ka caktuar 30 ditë paraburgim tri ish-infermiereve A.P, A.R dhe R.K për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale sulmi.
Masa e paraburgimit tri të pandehurave iu është caktuar pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë që konstatoi se ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtat e kanë kryer veprën penale që ju vihet në barrë ngase ky dyshim mbështetet në provat që janë dorëzuar nga prokuroria dhe se me gjetjen e mundshme të pandehurave në liri ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë të cilët janë pjesë e stafit të shtëpisë së kujdesit shëndetësor ku ka ndodhur vepra penale e të cilët nuk janë identifikuar dhe deklaruar ende, si dhe ndikimit në deklaratën e të dëmtuarës pasi që e njëjta është në gjendje të rënduar shëndetësore dhe nuk është deklaruar ende.
“Gjithashtu, gjykata ka vlerësuar se me lënien e të pandehurave në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale apo i kryerjes së ndonjë vepre të re penale, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale, shkallën e lartë të pjesëmarrjes së të pandehurave, si dhe faktin se në mediat e vendit qarkullon edhe lajmi se dëshmitarja e cila ka shpërndarë videon me përmbajtje të veprimeve të të pandehurave ka pranuar mesazhe kërcënuese, që në këtë fazë dyshohet se janë dërguar nga të pandehurat ose personat e shtyrë nga to”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Pejë.
Andaj, bazuar në këto rrethana gjykata ka arritur në përfundim se në këtë fazë të procedurës është i nevojshëm caktimi i masës së paraburgimit për të tri të pandehurat me qëllim të pengimit të përsëritjes së veprës penale, kryerjes së ndonjë vepre të re penale apo ndikimit në dëshmitar.
Bëhet e ditur se Gjykata ka vlerësuar edhe mundësinë e caktimit të ndonjë mase më të lehtë ndaj të pandehurave, mirëpo gjeti se masat e tjera të parapara me ligj si masa më të buta se masa e paraburgimit, nuk ofrojnë siguri të mjaftueshme për zhvillimin normal, të suksesshëm dhe të papenguar të procedurës penale.
Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
Prokuroria kërkon nga 30 ditë paraburgim për infermieret në rastin “Orenda
Tri infermieret e dyshuara për ushtrim të dhunës ndaj një të moshuarjeje në një rezidencë private për të moshuar të quajtur “Orenda” në Pejë, kanë dalë sot para gjyqtarit të procedurës paraprae në Gjykatën Themelore në Pejë.
Pritet që gjyqtari Veton Ademaj, t'u caktojë një masë. Në fakt, kërkesa e Dorjan Junikut, prokurorit të rastit të Prokurorisë Themelore në Pejë është që ndaj tyre të caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh, raporton RTK.
Derisa familjarët e të moshuares, që bazuar në një video të shpërndarë në rrjetet sociale,ajo shihej duke u goditur nga infermieret, tashmë është larguar nga aty, familjarët e tjerë që kanë të afërm të tyre në këtë qendër, vazhdojnë të jenë të shqetësuar për zhvillimet e pakendshme aty.
Ndërkohë bëhet e ditur se Oda e Infermierëve të Kosovës, tri infermiereve të përfshira në këtë rast të rëndë, ua ka tërhequr licensat e punës.























