Mehaj takon ambasadorin e Turqisë, diskutojnë për situatën e sigurisë
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka takuar këtë të marte ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar. Takimi me diplomatin turk është në vazhdën e takimeve që Mehaj po zhvillon me përfaqësuesit e korit diplomatik në Kosovë.
Temë diskutimi mes ministrit Mehaj me ambasadorin e Turisë ka qenë situata aktuale e sigurisë në vend e më gjerë, derisa e ka njoftuar diplomatin edhe me synimet për të ardhmen.
“Me Ambasadorin Sakar biseduam lidhur me situatën aktuale të sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë, krahas njoftimit me proceset zhvillimore aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK, të arriturat e deritashme si dhe synimet për të ardhmen”, ka bërë të ditur Mehaj.
Mehaj tha ta ketë falënderuar ambasadorin e Turiqisë për ndihmën dhe mbështetjen e ofruar në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale ushtarake të FSK-së.
Ndërkohë bëhet e ditur se ambasadori Sakar ka premtuar se Turqia, si një vend mik dhe aleat i fuqishëm i Kosovës, do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në të gjitha fushat.
Dyshja janë pajtuar që bashkëpunimi në nivel të ministrive të mbrojtjes dhe forcave të dy vendeve të fuqizohet edhe më tej në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal e më gjerë.
























