Për dhjetë muaj, EULEX-i lëvizi tri herë xhandarmërinë
Jeton Musliu/RTKlive
Brenda dhjetë muajve të këtij viti, Misioni i EULEX-i ka lëvizur nga Kosova, tri herë, një numër të caktuar të xhandarëve. Në fakt, dy herë ka sjellë trupa e një herë ka larguar një numër të caktuar të tyre.
Krejt kjo duke iu përshtatur sistuatës së sigurisë në veri të Kosovës, raporton RTKlive.
Fillimisht në mars të këtij viti, një Njësi Policore e Specializuar Rezervë e përbërë prej 92 pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmerisë (EUROGENDFOR) nga Portugalia, Franca dhe Italia, zbarkuan në Kosovë.
Ata erdhën për të përforcuar kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it (NjPS). Të njëjtit qëndruan në Kosovë deri me 18 korrik.
Kështu, pas largimit të tyre rreth tre muaj më parë, një numër i caktuar i tyre u desh të rikthehen, duke u bazuar në situatën e sigurisë në veri të Kosovës.
Një ditë më parë, më 8 nëntor, një Njësi Policore e Specializuar Rezervë (NJPSR) e përbërë nga 23 xhandarë nga karabinierët italianë dhe anëtarë të Forcës së Xhandarmërisë Evropiane (EUROGENDFOR), zbarkoi përkohësisht në Kosovë.
Ata erdhën për t’i përforcuar kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar (NJPS) ekzistuese të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), raporton EULEX-i.
Sidoqoftë, kjo është hera e dytë që një numër i caktuar xhandarësh, zbarkojnë në Kosovë, pasi në mars, EULEX-i e përforcoi përkohësisht Njësinë Policore të Specializuar me një njësi rezervë prej 70 xhandarësh nga Portugalia dhe Franca, e të cilët u larguan nga Kosova më 18 korrik .
Aktualisht, Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it e përbërë prej 105 zyrtarëve policorë polakë, ka shtuar patrullimet mobile të vëzhgimit në Kosovën veriore, për informim të shtuar rreth situatës
Sipas EULEX-it, Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, pastaj vetë EULEX-i është reaguesi i dytë i sigurisë dhe NATO/KFOR është reaguesi i tretë.























