Haxhiu: Prokuroria dhe Gjykatat në veri, po funksionojnë normalisht
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se me gjithë bojkotin e dorëheqjet e prokurorëve e gjyqtarëve serb në veri, puna në sistem po vijon normalisht. Tha se personat që dorëhiqen nuk mund të kthehen më sepse është goditje për sistemin e drejtësisë, për Republikën e Kosovës që një gjyqtar e prokuror të dorëhiqet për shkak të dirigjimeve që i bëhet nga Vuçiqi.
Ajo ka treguar se me të marr lajmin për dorëzimin e mandatit të tyre ka takuar drejtues të KPK-se, KGjK-së e Kryeprokurorin e Shtetit me të cilët janë koordinuar për funksionimin normal të sistemit në veri në përputhje me mandatin ligjor e kushtetues.
Sipas saj qytetarët atje po marrin shërbimet pa asnjë problem.
E pyetur se çka do të ndodhë me lëndët e gjyqtarëve dhe prokurorëve të dorëhequr dhe nëse kjo do të ndikojë në punën e gjyqësorit meqë marrëveshja e Brukselit parasheh që zëvendësimi i tyre duhet të jetë po me serb, Haxhiu tha se sfidë ka qenë vetëm dita e parë, por jo më.
“Ajo që më takon mua të them si ministre e Drejtësisë është se Prokuroria e Gjykatat po funksionojnë, lëndët po trajtohen, qytetarët po i marrin shërbimet dhe çfarëdo vepre që mund të ndodhë e natyrës penale po adresohet nga Prokuroria. Sfidë ka qenë dita e parë për faktin se ky rast ka ndodhur gjatë vikendit e nuk kanë qenë në dijeni për seancat që i kanë mbajtur, vendimet për paraburgim që kanë qenë të ndjeshme. Megjithatë tashmë situata është duke vijuar normalisht, këto vende janë plotësuar”, tha ajo derisa bëri të ditur se njëjtë po funksion edhe Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë.
Ajo tha se asnjë rast që ka ndodhur edhe sa i përket djegies së veturave nuk do të ndalet pse nuk ka gjyqtar e prokuror. “E them edhe njëherë që institucionet po funksionojnë normalisht pavarësisht dorëheqjeve të dirigjuara nga Beogradi”.
Ministrja u ka bërë thirrje gjithë atyre që ndjehen të kërcënuar e të shantazhuar t’i adresohen institucioneve përgjegjëse.
Ka shtuar se personat që dorëhiqen nuk mund të kthehen më në sistem. “Sepse është goditje për sistemin e drejtësisë për Republikën e Kosovës që një gjyqtar e prokuror të dorëhiqet për shkak të dirigjimeve që iu bëhen nga Vuçiqi.
Tutje Haxhiu tha se qeveria ku ajo bënë pjesë po vuan pasojat e marrëveshjeve të dëmshme të së kaluarës.
“Sepse siç dihet i kanë detyruar institucionet e drejtësisë që të negociojnë në Bruksel. Ajo ka qenë mënyrë e gabuar sepse institucionet e pavarura nuk mund të marrin pjesë në bisedime politike. Prandaj edhe me Listën Serbe në Kuvend që dirigjohet nga Beogradi edhe me gjyqtar e prokuror që i kanë servuar me lista për të qenë në sistemin e drejtësisë, ne tash po i vuajmë pasojat e qeverive më herët”, tha ajo.
Haxhiu tha se për herë të parë Kosova ka një pozicion kaq të fuqishëm në negociata më Serbinë dhe për herë të parë pozicioni i shtetit është i dinjitetshëm.
“Fatkeqësisht jo vetëm marrëveshjet që i kemi trashëguar, por edhe qasja që kanë pasur qeveritë e kaluara tani është problem edhe për ne sepse i kanë mësuar keq, çfarëdo që ka thënë Serbia e Beogradi këta i kanë thënë, po”, tha Haxhiu.
E pyetur nëse dorëheqjet e deputetëve serb në Kuvend do të ndikojnë në ndryshimet kushtetuese për vetingun, Haxhiu tha se kryetari Konjufca ka bërë kërkesë për zëvendësimin e tyre, derisa shtoi se nuk mund të paragjykojë situatën.























