Vazhdon punimet konferenca “Java e Regjistrimit të Popullsisë 2023” |Video
K.Kasumi/ RTKlive
Ka vazhduar sot dita e dytë e Konferencës “Java e Regjistrimit të Popullsisë 2023”, e cila ka nisur punimet dje, e që është organizuar nga Agjencia e Statistikave e Kosovës me mbështetjen e UNFPA-së.
I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe drejtori i Entit të Statistikave të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Apostol Simovski, i cili ka bërë me dije se problem në gjithë rajonin është largimi i të rinjve të arsimuar nga vendi.
“Edhe ne kemi probleme të ngjashme sikurse ju dhe po përpiqemi t’i zgjidhim. Më e rëndësishme për ne është t’i ndjekim rekomandimet e OKB-së. Duhet ta bëjmë një fotografi të qartë. Është për të mirën e vendit, jo për të tjerët. Të rinjtë po largohen nga vendi. Ky është problemi më i madh në regjion. Po i humbim burimet njerëzore, fuqinë punëtore, të arsimuarit”, ka thënë Simovski.
Ai ka treguar se në Maqedoninë e Veriut për 20 vjet nuk ka pasur regjistrim të popullsisë dhe për regjistrimin e saj nuk do të përdorin më letër, por teknologjinë.
“Kemi vendosur mos ta përdorim letrën për regjistrim. Do ta përdorim teknologjinë, sepse është më e lehtë. Studentët i kemi angazhuar për mbledhjen e statistikave. Pjesa e migrimit është problem shumë i madh”, ka bërë me dije Simovski dhe ka rekomanduar të mblidhen të dhëna për ata që janë jashtë vendit, ku jetojnë, pse jetojnë atje dhe të bëhen politika që ata të kthehen.
Ndërsa zv/kryeshefi ekzekutiv në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), Ilir Berisha, ka folur për rëndësinë që ka dhënia e informatave të besueshme, duke përmendur parimet që do t’i ndjekin për regjistrim. Ai ka thënë se ASK institucioneve shtetërore, shoqërisë civile, ndërkombëtarëve dhe popullatës do t’u japë informata cilësore statistikore.
“Kosova sikurse vendet e tjera ka nevojë të japë informata të rifeskuara. Të dhënat e regjistrimit të popullsisë kanë rëndësi të madhe për shfrytëzuesit për besueshmërinë në statistika”, ka treguar Berisha.
Ramije Topxhiu-Mustafa nga Këshilli Statistikor i Kosovës në ASK ka thënë se të dhënat statistikore kanë ndikime në shumë fusha, sidomos në fushën e ekonomisë, në shoqëri, në mjedis dhe në çështjet gjinore.
“Të diskutohet për regjistrimin e popullsisë është sfidë. Rëndësia e të dhënave nga regjistrimi i popullsisë është se ato ndikojnë në ekonomi, në shoqëri, në mjedis, në të drejtat themelore si dhe në çështjet gjinore. Regjistrimi i popullsisë jep të dhëna thelbësore për themelimin e politikave”, ka thënë ajo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili dje ka marrë pjesë në konferencën “Java e Regjistrimit të Popullsisë”, ka thënë se regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe i banesave përbën një prej ndërmarrjeve më të rëndësishme institucionale në vendin tonë.
“Të dhënat mbi madhësinë, shpërndarjen dhe përbërjen e popullsisë, kushtet e jetesës e niveli i edukimit, janë bilanci empirik i së tashmes dhe baza e politikave për të ardhmen. Ato u mundësojnë të gjithë shfrytëzuesve të të dhënave, e veçanërisht vendimmarrësve në nivelin lokal e qendror, por edhe donatorëve e investuesve të tjerë, për orientimin dhe targetimin e politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët”, ka thënë Kurti.























