Mbrojtja kundërshton prokurorinë: Bota u ndihmoi të çlironin vendin
BKT
Foto: Dhomat e Specializuara
Kosovë

Mbrojtja kundërshton prokurorinë: Bota u ndihmoi të çlironin vendin

Jeton Musliu/RTKlive

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, publikuan dosjen paraprake të mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Në dosjen paraprake e cila përmban 82 faqe të mbrojtjes së Hashim Thaçit, shkruan se nëse UÇK-ja do të kishte vepruar në bazë të një plani kriminal për vrasjen, torturimin dhe abuzimin e civilëve, ajo nuk do të kishte pasur kurrë mbështetjen ndërkombëtare.

“Nuk do ta kishte kurrë mbështetjen e  SHBA-së, Britanisë së Madhe, NATO-s, OSBE-së, Grupit të Kontaktit apo komunitetit më të gjerë ndërkombëtar”.

Në dosje shkruan se gazetarë, studiues, diplomatë, historianë dhe jurist, i kanë shqyrtuar nga afër këto ngjarje, atëherë si  edhe gjatë dy dekadave të fundit.

“Nuk kishte asnjë plan të përbashkët kriminal të UÇK-së. Komuniteti ndërkombëtar nuk do ta kishte përkrahur kurrë”.

Mbrojtja e të akuzuarve deklaron se aktakuza bazohet në një keqinterpretim të pjesshëm dhe selektiv të ngjarjeve në fjalë.

Mbrojtja rikujton se tani është e qartë se shumë nga dokumentet në të cilat mbështetet Zyra e Prokurorit të Specializuar, erdhën nga organet qeveritare serbe.

Sipas mbrojtjes, janë të njëjtat organe që kanë një interes të veçantë në rezultatin e këtyre procedurave, e të cilat edhe u përpoqën të vrisnin Dick Martyn,  me qëllim të fajësimit të  shqiptarëve të Kosovës.

Për më tepër, mbrojtja e të akuzuarve rikujton se në narrativen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, mungon në tërësi fenomeni se 863 mijë  shqiptarë të Kosovës u shndërruan në refugjatë, dhe  590 mijë  persona ishin të zhvendosur brenda vendit.

“…Për të gjetur shtëpitë dhe jetët e tyre të shkatërruara dhe duke kërkuar ndëshkim për tmerrin e shkaktuar gjatë javëve, muajve dhe viteve nga shtypësit serbë”.

Mbrojtja deklaron se Thaçi, anëtarët e tjerë të UÇK-së dhe Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nuk kishin asnjë shtysë për të kryer krime kundër kundërshtarëve.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, po përballen me 10 akuza nga Prokuroria e Specializuar e Hagës.

Më 5 nëntor janë bërë dy vite prej që Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi janë arrestuar nga hetuesit e Speciales. Deri tash, është refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri.

Për më shumë mund të lexoni dosjen e plotë:

https://repository.scp-ks.org/LW/Published/Filing/0b1ec6e980d800fc/Public%20Redacted%20Version%20of%20Pre-Trial%20Brief%20of%20Mr%20Hashim%20Tha%C3%A7i.pdf?fbclid=IwAR1SBv16uuhntivQZ3xvVhGmD8mV1eo0Iq6UQ4X97_6kXabwOQGv3RQsp44


MË SHUME NGA Kosovë