Haxhiu mohon se i është refuzuar viza për në SHBA: Vizita është shtyrë
Fadil Sertolli / RTKlive
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se lajmet se i është refuzuar viza dhe lajmet tjera lidhur me vizitën në SHBA, nuk qëndrojnë dhe janë të pavërteta.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, ministrja Haxhiu ka treguar se sot pasdite është takuar me zyrtarë të lartë të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë dhe se ka diskutuar rreth ftesës së tyre për vizitë në SHBA.
“Marrë parasysh situatën aktuale politike në vend, bashkërisht kemi konsideruar se duhet ta shtyjmë për një datë më të përshtatshme vizitën. Lajmet se më është refuzuar viza dhe lajmet tjera lidhur me vizitën, ndryshe nga ky shpjegim, nuk qëndrojnë pra janë të pavërteta”, ka shkruar Haxhiu në ‘Facebook’.
“Vizita do të realizohet dhe për shkak të interesimit, datat do t'ua kumtojmë me kohë”, ka shkruar ajo.























