Nxënësit e Fushticës detyrohen t`i vijojnë mësimet në shkolla më të largëta
Qëndresa Duraku -Xharra / RTK
As tani shkolla e mesme e ulët në Fushticë të Epërme të Drenasit nuk është e gatshme për nxënës, ndonëse si projekt ka nisur para 5 vitesh. Andaj, rreth 200 nxënës, sa ka fshati, po detyrohen t`i vijojnë mësimet në shkolla më të largëta. Banorët ndërkaq, kanë paralajmëruar edhe protesta para Qeverisë.
Objekti shkollor i cili ishte nisur para 5 viteve, përfundimi i tij nuk shihet në horizont. Në mungesë të saj, rreth 200 fëmijë sa ka fshati, u duhet të bëjnë kilometra për të vijuar mësimin në shkollën më të afër që kanë, atë të fshatit Sankoc. Për shkak të largësisë, ata janë të detyruar të udhëtojnë me transport të organizuar, për t'i evituar rreziqet nga rrugët pa trotuar e nga qentë endacak.
"Ne nuk e kemi shkollën në fshatin tonë dhe duhet të udhëtojmë rreth 3 kilometra në atë shkollë, në kohë të keqe dhe ka shumë rreziqe gjatë kësaj rruge", thotë nxënësja Sumeja Hoti.
"Na duhet të shkojmë në shkollën "Luigj Gurakuqi" për shkak që nuk e kemi shkollën tonë. Po ka shumë qenë endacak të cilët po na frikësojnë jo vetëm mu por edhe nxënës tjerë", shtoi nxënësja Leona Januzi.
Banorët e fshatit ndërkaq, thonë se objekti shkollor është i domosdoshëm për fëmijët e tyre.
Fadil Ismajli, përfaqësues i fshatit Fushticë e Epërme, thotë se ky objekt ka filluar që 5 vite dhe arsyeja se pse nuk ka përfunduar as ne nuk e dimë, duke marrë parasysh nevojat e fshatit tonë kemi nevojë që ky objekt të përfundoj sa më parë.
Zyrtar nga Komuna e Drenasit deklaruan se projekti në fjalë, menaxhohet dhe financohet në tërësi nga niveli qendror, thonë se në vazhdimësi kanë kërkuar të njoftohen për planin dinamik të kësaj shkolle.
"Ne jemi interesuar për të gjitha projektet të cilat financohen nga niveli qendror dhe në vazhdimësi kemi kërkuar informata se në cilën fazë ndodhen punimet në këto projekte e njëri prej tyre ka qenë edhe në Fushticë të Epërme, ku kemi marrë përgjigje nga divizioni të Ministrisë së Punëve të Brendshme që janë edhe financues të këtij projekti që kanë propozuar ndërprerjen e kontratës me operatorin për shkak të stërzgjatjes së punimeve", ka thënë Muhamet Gjoka, drejtor i DKA-së në Komunën e Drenasit.
Ndërkaq, edhe pas më shumë se 1 muaj nga kërkesa zyrtare e RTK-së, drejtuar departamentit për Standarde dhe Politika të Inxhinieringut dhe Menaxhimit të Ndërtesave Qeveritare e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ministri kjo e cila është përgjegjëse për këtë objekt, nuk është marr një përgjigje konkrete se pse nuk është finalizuar projekti i shkollës në fjalë në kohën e paraparë.























