Ambasada e Gjermanisë dhe Francës përcjellin mesazhe të paqes
K.Kasumi/ RTKlive
Ambasada e Gjermanisë dhe Ambasada e Francës në Kosovë, sot, me rastin e përkujtimit të armëpushimit të 11 nëntorit të vitit 1918, kanë organizuar ceremoni ushtarake te Varrezat e të Krishterëve në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, nga ku edhe përcollën mesazhin për pajtim.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde, tha se pas luftës është mundësuar zhvillimi i vendeve pjesëmarrëse dhe normalizimi i raporteve.
Ndërsa ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, duke i përkujtuar viktimat, dha mesazh për vendet që kanë raporte të komplikuara.

“Ceremonia e 11 nëntorit është për t’i përkujtuar të rënët, vuajtjet dhe të gjitha viktimat e tjera të Luftës së Parë Botërore. Në rrënojat e kësaj lufte janë ndërtuar e ardhmja dhe prosperiteti për vendet që kanë luftuar gjatë Luftës së Parë Botërore. Porosia jonë është që të mos ketë urrejtje, por ajo urrejtje që ka ekzistuar të transformohet në përparim dhe pajtim”, tha ai.
I pyetur për planin franko-gjerman për dialogun Kosovë - Serbi, Guerot nuk dha hollësi, vetëm tha se deklaratat që janë dhënë nga vende të ndryshme nuk ndihmojnë në realizimin e atij plani.
“Franca dhe Gjermania kanë propozuar një plan. Unë nuk do të doja të komentoja lidhur me qëndrimin dhe deklaratat e palëve të ndryshme lidhur me atë plan. Deklaratat e ndryshme që janë dhënë, nga vende të ndryshme, nuk ndihmojnë në realizimin e atij plani”, shtoi Guerot.
























