Ndërrim komande në KFOR, vjen një zëvendëskomandant i ri
Donika Sherifi/RTK
Zëvendëskomandanti i paqeruajtësve të KFOR-it, gjenerali italian, Luca Piperni ka përfunduar mandatin e tij në Kosovë, duke ia dorëzuar detyrën gjeneralit hungarez, Jozsef Szpisnjak. Në ceremoninë e ndërrimit të komandës, gjeneral Piperini tha se ndjehet krenar për kontributin që ka dhënë për paqen dhe stabilitetin në Kosovë.
“Unë kam përjetuar shumë ndryshime të pabesueshme në Kosovë në këto vite, por asgjë nuk ka ndryshuar në gatishmërinë e NATO-s për të kontribuar në stabilitetin e sigurisë. Prania e trupave të Aleancës në Kosovë është filli ideal lidhës gjatë këtyre 23 vjetëve dhe jam krenar që kam shërbyer këtu si zëvendëseskomandant”, tha Luca Piperni.
Ndërkaq komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, e ka çmuar lartë punën dhe kontributin e zëvendëskomandantit Piperni.
“Ju keni qenë një pasuri e çmuar për ekipin komandues dhe tërësinë e KFOR-it. Ndikimi juaj ishte aq i madh 20 vjet më parë sa NATO ju riktheu për ta vazhduar traditën e përsosmërisë. Këto vite kanë qenë sfiduese, por ju keni bërë hapa dhe përparim të jashtëzakonshëm për të ndihmuar në përmbushjen e mandatit tonë dhe për të ofruar siguri në Kosovë”, deklaroi Ristuccia.
Ndryshe, paqeruajtësit e KFOR-it janë një trupë e armatosur ndërkombëtare e formuar nga bashkësia ndërkombëtare pas luftës në Kosovë me qëllim të sigurimit të armatosur të Kosovës. Pas luftës në Kosovë trupat e KFOR-it përbënin një kontingjentet prej 40 kombeve me një fuqi ushtarake prej 50 mijë ushtarësh. Që prej 30 nëntorit 2012 në përbërjen e kësaj trupe janë rreth 5,565 ushtarakë nga 31 kombe anëtare të OKB-së.
























