Tre prokurorë transferohen në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë të Veriut
J.Musliu/RTKlive
Pas ofrimit të dorëheqjes së prokurorëve të nacionalitetit serb, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka marrë vendim për zëvëndësim të stafit.
Në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore me qëllim të mbështetjes, funksionimit normal dhe efikas të punës në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, Kelmendi ka marrë vendim për transferimin e jashtëzakonshëm të tre prokurorëve nga prokuroritë tjera themelore në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës.
Siç njofton Zyra e Kryepkokurorit, kjo bëhet për një periudhë të përkohshme.
Prokurorët e transferuar do të punojnë në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, i cili është prekur më tepër nga ofrimi i dorëheqjes së prokurorëve të nacionalitetit serb.
“Varësisht nga rrethanat, U.D. Kryeprokurori i Shtetit do të veprojë menjëherë në përputhje më ligjin, situatën dhe nevojat e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë”, shkruan në njoftim.
Aktualisht nga detyrat e tyre, me presion nga Beogradi zyrtar, kanë dhënë dorëheqje prokurorët, gjykatësit, stafi administrativ në sistemin e drejtësisë në veri të Republikës, ashtu siç kanë dhënë dorëhqeje edhe zyrtarët policorë.























