Balje: Presion nga serbët edhe mbi boshnjakët për të braktisur punën
J.Musliu/RTKlive
Presioni nga Lista Serbe përmes të bindurve të saj, që ushtrojnë trysni ndaj policëve të komuniteteve në Kosovë për të braktisur punën, nuk është drejtuar vetëm ndaj atyre serbë.
Një presion të tillë janë duke e përjetuare dhe pjesëtarë të komunitetit boshnjak.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje nga komuniteti boshnjak, ka publikuar një status në llogarinë e saj në rrjetet sociale, për të denocuar një rast.
“Milhata Qela është police e Kosovës, nga rradhët e komunitetit boshnjak, e që 19 vjet punon si police në shërbim të qytetarëve tanë”, shkruan deputetja Balje.
Por ajo denoncon se kjo police është duke u përballur me presion për të braktisur punën, nga ana e komandantit të policisë së stacionit policor në Graçanicë.
“E shqetësuar, duke qarë, e frikësuar, me një gjendje dukshëm shumë të keqe dhe e gjithë kjo si rezultat i ngacmimit psikologjik nga komandanti i stacionit policor të Graçanicës, Bratislav Trajkoviq’, shkroi Balje në llogarinë e saj, raporton RTKlive.
“Edhe pas raportimit në Inspektoratin Policor të Kosovës, me inspektoren S.D., asgjë nuk ka ndryshuar sepse ajo as nuk ka marrë përgjigje”, deklaroi deputetja Balje, duke kërkuar reagim të organeve kompetente.
“Kërkoj nga institucionet kompetente, policia dhe IPK-ja, si dhe ministria që të bëjnë përpjekje për ta hetuar këtë rast dhe për të mos lejuar që të ndodhin raste të tilla”.
Ditëve të fundit nën trysninë e Listës Serbe e cila dirigjohet nga Beogradi zyrtarë, shumë policë të komunitetit serb por edhe të institucioneve të tjera, kanë dhënë dorëheqje nga detyrat e tyre.























