Evidentohen 6.202 raste të vjedhjes së rrymës, KEDS-i në aksion |Video
Besjana Mulaj/RTK
Për rastet e dyshimta të keqpërdorimeve të energjisë elektrike, KEDS realizon aksione të shpeshta të kontrollit në të gjitha komunat e Kosovës.
Në aksionin në lagjet “Arbëria” dhe “Kodra e Trimave” në Prishtinë, iu bashkua edhe ekipi i RTK -së, ku dy konsumatorë u shkyçën nga furnizimi me energji elektrike.
Për të gjitha rastet e keqpërdorimeve, KEDS dërgon kallëzime penale në gjykatat themelore të qyteteve përkatëse.
Aksion i tillë i kontrollit të të dyshuarve për keqpërdorim të rrymës, u realizua në lagjen “Arbëria”,në Prishtinë, ku ekipet e KEDS – it identifikuan anashkalim të njësorit.
"Në rastin e sotëm patëm të bëjmë me një anashkalim të njësorit që nënkupton se rryma elektrike që është futur në sistem, nuk regjistrohet dhe rrjedhimisht nuk faturohet”, shpjegon Lulzim Krasniqi, zzyrtar në zyrën për media në KEDS.
“Ekipet e KEDS-it janë të përkushtuara që në baza ditore të kryjnë kontrolle të tilla, me qëllim të identifkimit të rasteve të dyshimta”.
Ai shpjegon se vetëm javën e kaluar, janë realizuar rreth 1.900 kontrolle prej të cilave 287 sosh, janë identifikuar si keqpërdorime.
Aksione të tilla kanë për qëllim minimizimin e humbjeve në rrjet, andaj kontrollet e ekipit të KEDS-it vazhduan në lagjen “Kodra e Trimave” në kryeqytet, ku edhe një konsumator tjetër u shkyç nga furnizimi me rrymë.
"Gjatë një dite realizohen rreth 400 kontrolle dhe nga ato kontrolle, diku rreth 30 raste dalin si keqpërdorim”, tregon Krasniqi nga KEDS-i.
“Pavarsisht sfidave që mund të hasim gjatë kontrolleve të tilla, ekipet e KEDS -it janë të pakompromis ndaj keqpërdoruesve të energjisë elektrike”.
Ai tregon se prej vitit 2013 që KEDS është krijuar si kompani, humbjet e energjisë elektrike janë minimizuar në më shumë se 40%.
Nga janari deri më tani në nivel vendi, janë identifikuar 6.202 raste të keqpërdorimeve, për të cilat zyra ligjore e KEDS-it, dërgon kallëzime penale dhe përmes prokurorisë, ato trajtohen nga gjykatat themelore në qytetet përkatëse.























