Policia shpjegon se si ndodhën sot dy incidentet në Mitrovicën e Veriut
Visar Shatrolli/RTK
(Plotësuar) Lidhur me dy incidentet që kanë ndodhur sot në Mitrovicën e Veriut, Policia e Kosovës ka sqaruar rastet.
Sipas forcave të rendit, referuar informacioneve të siguruara nga terreni, sot në orët e paradites, një grup të rinjsh nga komuniteti shqiptar, (nëntë) 9 nxënës të shkollës së mesme, kanë shkuar për të shëtitur te lokacioni “Kodra e Minatorëve”, që gjendet në zonën e përgjegjësisë së Mitrovicës së Veriut.
“Këta të rinj pas përfundimit, me t’u kthyer në drejtim të urës kryesore, në afërsi të një udhëkryqi, dyshohet se nga një automjet i tipit Renault (ngjyrë e kaltër), që dyshohej se i ka vëzhguar, kanë dalë disa persona të dyshuar, të cilët kanë arritur ta ndalojnë dhe ta rrahin/sulmojnë njërin nga nxënësit, përderisa të tjerët kanë arritur të largohen nga në drejtim të urës kryesore”, deklaron polciia në komunikatën zyrtare.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës deklaron se më pas, në vendin ku ka ndodhur rasti i sulmit ndaj nxënësit, duke kryer detyrën, kameraman i portalit “Insajderi”, i cili ishte duke e xhiruar autoambulancën që po e trajtonte rastin e fëmijës së sulmuar, dyshohet se është penguar në kryerje të detyrës.
“Ai është goditur/sulmuar fizikisht nga personat të cilët dyshohet se mund të kenë qenë të njëjtit”, deklaron Policia e Kosovës, sipas së cilës, kameramani ka deklaruar se personat e dyshuar, kishin folur në gjuhën serbe.
“Përveç sulmit/goditjeve të ushtruara ndaj tij, kishin tentuar t’ia marrin me forcë telefonin (celularin), pasi i ka xhiruar dhe ka pasur dëshmi të rastit”.
Policia deklaron se më pas kameramani, ka marrë tretman mjekësor në emergjencën rajonale të Mitrovicës Jugu.
“Kameramani dhe nxënësit e tjerë në prezencë të zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale, janë intervistuar në stacionin policor, derisa lidhur me rastin janë njoftuar edhe kompetentët e shkollës të cilës i përkasin nxënësit”.
Policia e Kosovës me njësitet e saja relevante, deklaron se në bashkëpunim me organet e Drejtësisë, në rastin “Sulm-lëndim trupor” që ndërlidhen njëra me tjetrën, është duke kryer hetime, me qëllim të ndriçimit dhe arrestimit të personave të dyshuar.
Njëkohësisht Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve pa dallime, që të përmbahen nga çfarëdo lloj provokimi apo incidenti i mundshëm, që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike.
Policia kërkon nga qytetarët që kushdo që posedon informacione për personat e dyshuar, të njoftojë Policinë në numrat kontaktues pa pagesë (192, 0800 19999, 038 550 999), si dhe përmes platformës digjitale “Lajmëro Policinë”.
“Të gjitha informatat do të trajtohen në anonimitet të plotë”.
Sulmohen dy qytetarë në Mitrovicën e Veriut |Video
Dy persona janë sulmuar sot fizikisht në Mitrovicën e Veriut. Njëri është Jetmir Muji, kameraman dhe tjetri një qytetar, Granit Xhafa, 16 vjeç.
16 vjeçari nga Mitrovica, sipas familjareve të tij, ka qenë me disa shokë duke shëtitur në sheshin “Car Llazar” në Mitrovicën e Veriut.
Ata kanë thënë se adoleshenti është sulmuar në momentin që është sulmuar edhe ekipi i gazetareve.
I riu është dashur të kërkojë ndihmë mjekësore dhe është dërguar fillimisht në spitalin e Mitrovicës së Veriut e më pas është transferuar në atë në jug.
“Rreth orës 13:00, ka ardhur një person i rrahur. Ai është transferuar nga spitali në Mitrovicën e Veriut me autoambulancë dhe polici”, thotë Bashkim Hasani, drejtor i Spitalit të Përgjithshëm “ Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.
“Në spitalin në veriut i është dhënë një tretman, e ku është sjellë këtu, e në konsultim me mjekët si neurologu, kirurgu e mjeku i emergjencës, është vendosur të mbahet në spital”, thotë Hasani për RTK-në.
Ai tha se pacienti është në situatë stabile, por për shkaqe sigurie shëndetësore, është vendosur të mbahet që të ndiqet gjendja e tij shëndetësore.
Paraprakisht, në mesditën e së enjtes, dyshohet se gjithashtu disa persona të nacionalitetit serb, kanë sulmuar kameramanin e mediumit –Insajderi, derisa ai po xhironte.
Bazuar në deklarimin e tij, ai në atë moment po filmonte një rast të kidnapimit të një të riu shqiptar në pjesën veriore të Kosovës, ndonëse një rast të tillë, Policia e Kosovës nuk e ka konfirmuar.
Megjithatë, sipas ekipit të gazetarëve të këtij mediumi, i riu i nacionalitetit shqiptar, është kidnapuar nga disa serbë dhe i njëjti është futur me forcë në një veturëtë. Aty është rrahur dhe është lënë në rrugë. E ngjarja dyshohet se ka ndodhur në pjesën veriore të Kosovës.
Ekipi i këtij mediumi, ka deklaruar se kameramani Jetmir Muji, ishte duke e xhiruar këtë veprim të tyre dhe në shenjë revolte, sulmuesit e kanë goditur atë pas kokës.
Pasi kameramani i është nënshtruar një intervenimi mjekësor në emergjencën e Mitrovicës së Jugut.
Bashkim Hasani, drejtor i Spitalit të Përgjithshëm “ Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, deklaron se rreth orës 11;00, në emergjencë është dërguar një person i lënduar në kokë.
“Ai ka pasur tendenca të vjelljes dhe kemi bërë të gjitha ekzaminimet klinike dhe radiologjike”, thotë Hasani për RTK-në. Sipas tij, gjendja e pacientit, pas ekzaminimeve, ka qenë stabile dhe pas tretmanit është liruar në shtëpi.
“Lëndimet kanë qenë të natyrës së lehtë”.
Ndërkohë, kryeredaktori i Insajderit, Visar Duriqi, i cili ka deklaruar se ishte prezent në momentin kur ka ndodhur sulmi, ka treguar se si e gjithë ngjarja është parë nga karabinierët italianë.
Ai ka thënë se karabinierët kanë hyrë në veturat e tyre dhe nuk janë afruar të pyesin si është gjendja e kamemaranit të sulmuar e lënduar.
Duriqi është shprehur se gjendja e kameramanit Muji është stabile dhe rasti po hetohet nga Policia, kurse kjo e fundit më vonë, ka dhënë detaje lidhur me sulmin fizik ndaj dy kosovarëve në veri të Mitrovicës.
Besim Hoti, zëdhënës i policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, deklaroi se ende nuk ka ndonjë person të arrestuar lidhur me sulmin.
Lidhur me rastin, ka reaguar Partia e Serbëve të Kosovës, dhe kryetari i saj, Aleksandar Jabllanoviq, duke drejtuar gishtin e përgjegjësisë ndaj Listës Serbe.
“Kjo tregon se çfarë efekti real në terren e arrijnë gënjeshtrat e vazhdueshme dhe tensionet artificiale me të cilat mashtrohen dhe mbahen në vakum sigurie populli në veri të Kosovës”, shkruan në reagimin e kësaj partie.
Sidoqoftë, situata e sigurisë në veri të vendit, në përgjithësi është e qetë.























