EULEX-i e konfirmon për RTK-në, shtimin e forcave të saj në veri
BKT
Foto: Visar Shatrolli/RTK
Kosovë

EULEX-i e konfirmon për RTK-në, shtimin e forcave të saj në veri

Hysni Demaku/RTK

Edhe pse situata në tërësi është e qetë, Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, konfirmon për RTK-në, se ka shtuar patrullimet e pjesëtarëve të saj në veriun e Kosovës.

Kjo për të siguruar rend dhe qetësi publike, pas dorëheqjës së rreth 200 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të komunitetit serb.

Në përgjigje me shkrim nga EULEX-i, saktësohet se këto patrullime janë duke i kryer Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it dhe Njësia Policore e Specializuar rezervë.

“Po, që  nga data 16 nëntori, krahas shtimit të konsiderueshëm të patrullimeve vëzhguese mobile, zyrtarë nga Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it dhe Njësia Policore e Specializuar Rezervë, janë duke kryer edhe patrullime në këmbë, në të gjitha komunat veriore, pra në Mitrovicë veri, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok”, shkruan në përgjigjen me shkrim të EULEX-it për RTK-në.

“Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it përbëhet prej 105 zyrtarëve policorë polakë”, saktëson EULEX-i.

“Më 8 nëntor, një Njësi e Policisë së Specializuar Rezervë, e përbërë prej 23 xhandarëve nga karabinierët italianë dhe pjesëtarë të Forcës së Xhandarmerisë Evropiane, zbarkoi përkohësisht në Kosovë, për përforcimin e kapaciteteve të Njësisë aktuale të Policisë së Specializuar të EULEX-it”, shpjegon EULEX-i.

“Gjatë ditëve në vijim, ne presim edhe disa përforcime shtesë të kufizuara”.

Më tej saktësohet se pjesëtarët e Njësisë Policore të Specializuar dhe të Njësisë Policore të Specializuar Rezervë, punojnë me ndërrime dhe janë duke kryer patrullime vëzhgimi gjatë 24 orëve në shtatë ditët e javës.

Aktualisht, situata e sigurisë në rajonin e Mitrovicës së Veriut është e qetë dhe përveç dy incidenteve të izoluara që ndodhën sot ( e enjte), nuk është raportuar për cënim të rendit publik.


MË SHUME NGA Kosovë