Televizioni vazhdon të jetë shtylla kryesore e informimit|Video
Foto: RTK
Kosovë

Televizioni vazhdon të jetë shtylla kryesore e informimit|Video

K.Kasumi/ RTKlive

Sot shënohet Dita Botërore e Televizionit. Për të folur për këtë ditë dhe për punën në televizion, të ftuar në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë” të RTK-së ishin Meneta Zekaj-Nushi, u.d. kryeredaktore në RTK3 dhe Xhymret Veliu, u.d. kryeredaktor në RTK1.

Zekaj-Nushi tha se në këtë kohë ka një zhvillim të hovshëm të teknologjisë mirëpo, sipas saj, televizioni vazhdon të jetë shtylla kryesore e informimit.

“Krahasuar me periudhën fillestare, kur ka filluar televizioni dhe periudhën e tanishme, kur kemi një zhvillim të hovshëm të teknologjisë, të rrjeteve sociale, të medieve online, unë vazhdoj të këmbëngul se televizioni vazhdon të jetë shtylla kryesore e informimit. Televizioni vazhdon të jetë burim i fuqishëm i informimit. Shikuesi ulet dhe e shikon qoftë një edicion të lajmeve, një emision në një kohë më të gjatë sesa që arrin t’i sigurojë informacionet përmes rrjeteve sociale”, tha ajo.

Ndërsa Xhymret Veliu, u.d. kryeredaktor në RTK1, tha se teknologjia ka impakt pozitiv siç është shpejtësia e lajmit, kurse impakt negativ është se lajmi mund të jetë i pasigurt.

“Teknologjia ka impakt të jashtëzakonshëm në televizion. Impaktet pozitive janë te shpejtësia e lajmit, te mundësitë që ke për shkak të teknologjisë. Por ka impakte negative, pasi që shpejtësia e lajmit, gjithçka që ndodh shpejt, mund të jetë edhe e pasigurt. Kjo është pjesa problematike që kemi edhe fake news”, tha ai.

Ai tha se është adhurues i medies tradicionale.

“Impakti i televizionit është shumëdimensional, por teknologjia e re ka zgjeruar hapësirën publike që në njëfarë mënyrë është mbizotëruar nga televizioni, por me shtimin e medieve të reja është shtuar hapësira publike ku mund të operojnë medie. Unë për vete jam adhurues i medies tradicionale dhe i mënyrës tradicionale të bërjes gazetari”, shtoi ai.

Dita Botërore e Televizionit është shpallur nga Kombet e Bashkuara në vitin 1996 dhe i ka bërë bashkë për herë të parë institucionet kryesore të industrisë mediale: Unionin Evropian t Transmetuesve (EBU), Asociacionin e Televizioneve Komerciale në Evropë (ACT) dhe Asociacionin e Radio-Televizioneve EGTA me bazë në Bruksel.


MË SHUME NGA Kosovë