Rruga për Brezovicë, vështirë e kalueshme, bëhet thirrje për kujdes|Video
Kosovë

Rruga për Brezovicë, vështirë e kalueshme, bëhet thirrje për kujdes|Video

Driton Ramadani/ RTK

Pamje të bukura nga Brezovica e Luboteni, atje ku bora ka zbardhuar gjithçka. Rruga deri lart është e kalueshme, por me vështirësi. Andaj, policia u bën thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar.

Qytetarë të cilët vizitojnë Brezovicën, e përshkruajnë këtë vend si më të bukur gjatë stinës së vjeshtës e dimrit.

 “Është mrekulli bora lart, ajri i mirë, të gjitha të mirat janë këtu, dimrit e vizitoj shpesh, edhe verës kohë pas kohe”, tha për RTK, Bajrush Hashani, qytetar.

Por, bora e cila ka rënë ka bërë që një pjesë e rrugës nga Brezovica deri në Qendrën e Skijimit të kalohet me vështirësi. Andaj, policia bën thirrje për kujdes të shtuar.

"Gjendja në rajonin e Ferizajt, përfshirë pesë komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit, paraqitet të jetë e mirë me disa pjesë të rajonit si aksin rrugor Kaçanik - Prevallë apo për në Brezovicë, ku atje ka vështirësi qarkullimit, por që rrugët janë të gjitha të kalueshme”, deklaroi për RTK, Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt.

Policia, po ashtu, u kërkoi shoferëve të kenë kujdes nga rreziku i shembjes së gurëve.


MË SHUME NGA Kosovë