EULEX-i paraqet raportin e tretë publik për monitorimin e drejtësisë
Foto: Valjetë Shala/RTK
Kosovë

EULEX-i paraqet raportin e tretë publik për monitorimin e drejtësisë

Valjetë Shala/RTK

EULEX-i ka paraqitur raportin e tretë publik për monitorimin e drejtësisë, i cili përfshin periudhën prej muajit nëntor 2021 deri në shtator 2022.

Ky raport përfshin gjetje dhe rekomandime specifike për autoritetet e Kosovës lidhur me disa çështje sistematike dhe tematike, përfshirë antikorrupsionin, ndjekjen penale të rasteve të terrorizmit, krimet kundër gazetarëve, krimet sipas të drejtës ndërkombëtare, dhunën në baza gjinore si dhe drejtësinë për të mitur.

Ky raport i identifikon disa zhvillime të fundit dhe relativisht inkurajuese në zbatimin e drejtësisë në Kosovë.

Misioni EULEX ka thënë se është i kënaqur pasi disa rekomandimet e raporteve të mëparshme janë duke u zbatuar nga gjyqësori.

Ai ka përmendur se shkalla e seancave joproduktive nga ato që janë monitoruar nga misioni ka rënë dhe disa raste të profilit të lartë të monitoruara janë duke u trajtuar në mënyrë më aktive.

Pavarësisht prej disa përmirësimeve, instrumentet në dispozicion për ta luftuar korrupsionin vazhdojnë të mos shfrytëzohen sa duhet, përfshirë aplikimin e masave të diversitetit, gjithashtu shumë raste të korrupsionit të profilit të lartë vazhdojnë të vuajnë nga ngecjet, kurse progresi në ndjekjen e krimeve të luftës është i kufizuar në një numër të vogël të rasteve.

"Për më tepër, ndarja e drejtësisë në rastet e kërcënimeve kundër gazetarëve dhe dhunës në baza gjinore është jokonsekuent, ku drejtësia aplikohet në mënyrë të pabarabartë. Bashkëpunimi ndërmjet pjesëve të ndryshme të gjyqësorit, si dhe brenda institucioneve si Policia e Kosovës dhe prokuroria, ndonjëherë gjithashtu mungon", shkruan në raport.

Ky është raporti i tretë publik për monitorimin e drejtësisë nga misioni i BE-së  për Sundimin e Ligjit në Kosovë.

Në prezantimin e raportit kanë marrë pjesë Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, Lars-Gunnar Wigemark, shef i Misionit EULEX, Dejan Janković, zëvendësdrejtor i përgjithshëm për resurse i Policisë së Kosovës dhe Hubert van Eck Koster, shef i Njësisë së EULEX-it për Monitorimin e Rasteve.

Wigemark, shefi i EULEX-it, tha që nga mandati i tyre po bëjnë monitorim dhe se janë të vendosur të sigurojnë transparencë.

“Që nga mandati EULEX ka bërë monitorim të rasteve. Deri tani kemi nxjerrë 5 raporte. Tri të fundit janë publikuar. Ne jemi të vendosur të sigurojmë transparence. Në pjesën e parë ka të bëjë edhe me monitorimin e rasteve të profilit të lartë, ku jemi duke monitoruar 50 të tillë. Drejtësia për të miturit dhe gazetarëve ka qenë për herë të parë e përfshirë në këtë raport. Misioni është i lumtur që disa rekomandime janë duke u përmirësuar”, tha ai.

Ndërkaq ministrja Haxhiu deklaroi se dhuna në baza gjinore ka përparim dhe se po bëhet përpjekje për shtim të dënimeve.

“Kosova në rrugëtimin e saj ka hasur shpesh në progres dhe mosfunksionim të drejtësisë. Është kërkesë e vazhdueshme lufta e korrupsionit dhe them që ende nuk ka progres. I inkurajoj institucionet për më shumë rezultate. Siç e dini, reformat kanë nisur në sistemin e drejtësisë. Shumë shpejt do të formohet komisioni ad hock. Ky raport është i vlefshëm për ta theksuar gjendjen në sistem të drejtësisë”, tha Haxhiu.

Po ashtu, ajo bëri me dije se nuk mund t’i tejkalojnë situatat që policia, gjykatat, prokuroria nuk i mbrojnë viktimat.

“Thërras institucionet që ta kryejnë punën e tyre dhe t’u dalim në krah viktimave. Kjo nuk është ndërhyrje në drejtësi, por thirrje t’i kryejnë punët e tyre, pastaj edhe kapjen e krimineleve të luftës. Jemi duke punuar edhe për drejtësi tranzicionale. Edhe dhuna ndaj gazetarëve është e patolerueshme. Rastet nuk bën të zvarriten”, shtoi ajo.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle