Shoqata e Prokurorëve të Kosovës kërkon anulimin e vendimit të Qeverisë
Kosovë

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës kërkon anulimin e vendimit të Qeverisë

E.Hoti/RTKLive

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës kërkon anulimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përgjysmimin e pagave të prokurorëve.

Sipas njoftimit, kjo shoqatë po ashtu përkrah vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës të marrë dje në takimin e vetë të jashtëzakonshëm për reduktimin e punëve të prokurorive vetëm me shërbime esenciale, për pezullimin e të gjitha format të bashkëpunimit me përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe për veprimet tjera të që parasheh vendimi i KPK-së.

“Shoqata e Prokurorëve të Kosovës njofton opinionin publik se në koordinim me Këshillin Prokurorial të Kosovës do të ndërmerr veprime konkrete për kontestimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për uljen e pagave të prokurorëve, përmes rrugëve ligjore dhe organeve gjyqësore vendimmarrëse”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës.

Kjo shoqatë gjithashtu thotë se do të shqyrtohen edhe shkeljet e mundshme të dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. “Për hapat lidhur me këtë çështje opinioni do të njoftohet me kohë”.

Reagimi i Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës vjen pas vendimit të Qeverisë Kurti për t’i ulur pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi atyre iu ishin rritur në vitin 2017 nga ish kryeministri Ramush Haradinaj.


MË SHUME NGA Kosovë