KEDS-i në aksion kundër vjedhjes së rrymës|Video
Kosovë

KEDS-i në aksion kundër vjedhjes së rrymës|Video

Arlinda Sejda / RTK

Kompania e Distribucionit të Energjisë - KEDS ka vazhduar aksionin për parandalimin e keqpërdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët.

Gjatë ditës së sotme aksioni i punëtorëve të KEDS-it kundër vjedhjes së energjisë, i mbështetur nga policia e Kosovës nisi në qytetin e Malishevës. Cak i kontrollit ishin disa biznese, ku në një rast u zbulua keqpërdorimi i energjisë elektrike.

Menaxheri i KEDS-it, Fatos Çeku, i cili i shoqëroj ekipet në terren, tregoi për RTK-në të gjeturat e aksionit.

"Në një rast ekipi i kontrollës ka vërtetuar se njehsori elektrik i cili është duke shpenzuar energjinë elektrike në objekt është i manipuluar. Në ekranin e njehsorit vërehet se ora dhe data dallojnë me orën aktuale dhe datën e sotme që jemi në terren. Ekipi është duke i verifikuar pajisjet e instaluara në objekt dhe pas verifikimit të pajisjeve ekipi i kontrollit e bënë ndërrimin e njehsorit elektrik, ndërsa njehsori i manipuluar dërgohet në laborator për verifikim", ka theksuar Çeku.

Përmes këtyre aksioneve, zyrtarët e KEDS-it thonë se kanë për qëllim minimizimin e humbjeve.
"Janë diku 50 ekipe ose 90-të punëtorë të angazhuar në tërë Kosovën që realizojnë rreth 400 kontrolle, prej të cilave 30 sosh rezultuan me keqpërdorime të energjisë elektrike. Prej vitit 2013 kur KEDS është krijuar si kompani humbjet kanë qenë 31 përqind. Krahasuar me vitin 2021, kur ato kanë rënë në 18 përqind. Pra, humbjet janë minimizuar 40 përqind", ka theksuar Lulzim Krasniqi, zyrtar për komunikim në KEDS.

Zyrtarët e KEDS-it kanë bërë të ditur se rastet e vjedhjes së rrymës, të grumbulluara, pas vlerësimit, procedohen në gjykatë. Aksioni i KEDS-i gjatë ditës ka vazhduar në qytetin e Rahovecit dhe distriktin e Gjakovës.

Javën e kaluar, ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, ka kryesuar një grup të gjerë punues që kanë nisur hartimin e planeve kundër vjedhjes së energjisë.

 

 


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle