Konjufca: Padrejtësisht po akuzohen në Hagë, Selimi me bashkëveprimtarë
Foto: RTKlive
Kosovë

Konjufca: Padrejtësisht po akuzohen në Hagë, Selimi me bashkëveprimtarë

K.Kasumi/ RTKlive

Sot është hapur ekspozita “Në garë me botën gri” e Rexhep Selimit, e mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ekspozita përmban mbi 110 piktura që simbolizojnë 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në mesin e shumë të pranishmëve ishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili e ka quajtur të padrejtë mbajtjen në paraburgim të ish-krerëve të UÇK-së. Sipas Konjufcës, gjatë fazës paraprake të akuzuarit kanë mundur të qëndrojnë në liri.

“Ai (Rexhep Selimi) këtë ekspozitë e ka dërguar prej Hage, atje ku po akuzohet, por gjykimi nuk ka filluar ende. Po akuzohet pa aktakuzë së bashku me bashkëveprimtarët e tij të tjerë, Jakup Krasniqin, ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, ish-presidentin Hashim Thaçi dhe me bashkëluftëtarë të tjerë, të cilët padrejtësisht po akuzohen në Hagë”, ka thënë Konjufca.

Ai ka treguar se ky proces duhet të përfundojë sa më shpejt dhe të vërtetohet lufta e pastër çlirimtare.

“Ne e dimë dhe jemi të vetëdijshëm si popull për drejtësinë dhe pastërtinë e luftës sonë. I gjithë populli në një mënyrë ishte pjesë e luftës sonë të drejtë, prandaj urojmë dhe dëshirojmë që të kthehen sa më shpejt në mesin tonë, që të dalin të pafajshëm”, shtoi Konjufca.


MË SHUME NGA Kosovë