Komunat refuzojnë që të hyrat vetanake të 2021, t’i kthehen nivelit qendror
Kosovë

Komunat refuzojnë që të hyrat vetanake të 2021, t’i kthehen nivelit qendror

Arbenita Marmullaku /Radio Kosova

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka ndarë disa pakënaqësi rreth projektbuxhetit të vitit 2023. Ata kanë kërkuar që vitin e ardhshëm qeveria ta fusë përsëri në strategji Ligjin për Financa Lokale. Komunat po ashtu kanë kundërshtuar që të hyrat vetanake të vitit 2021 t’i kthehen nivelit qendror. Komuna e Deçanit i ka bërë thirrje qeverisë që të kenë kujdes me autonominë e komunave. Ndërsa Komunës së Lipjanit buxheti nuk i është dukur aspak i mjaftueshëm.

Komunat kundërshtojnë që të hyrat vetanake 2021, t’i kthehen nivelit qendror

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka deklaruar  se në Projektligjin e Buxhetit të vitit 2023 komunat kërcënohen me buxhet. Ai i bëri thirrje qeverisë që të mos cenojë autonominë e komunave.

“Të kenë kujdes të mos cenohet autonomia e komunave, sepse do të ishte një precedent i keq administrativ, ligjor juridik dhe do të ishte e kushtueshme për projektet e komunave”, tha Ramosaj për Radio Kosova.

E nga Komuna e Lipjanit drejtori për buxhet, Latif Ramadani,  i tha Radio Kosovës se buxheti i ndarë për vitin 2023 as minimum nuk i plotëson kriteret. Ai tha se nuk ka ndodhur asnjëherë që të jenë më të diskriminuar.

“Nëse e sheh Komuna e Shtimes për 3 vite ka parashikuar buxhet 27 milionë ndërsa Lipjanit me një territor dhe numër të madh të banorëve, nuk e ka as 7 apo 8 milioë buxhetin për tri vitet e ardhshme”, tha Ramadani.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha se edhe një risi këtë vit po i dëmton komunat e vendit. Të hyrat vetanake të pashpenzuara për vitin 2021 do t’i kalojnë nivelit qendror, ku për këtë Ibrahimi thotë se është antiligjore.

“Te neni 9 pika  6 Qeveria e  Kosovës pa konsultim me asnjë palë të interesit e ka futur një pikë kur thuhet se të hyrat vetanake të pashpenzuara gjatë vitit 2021, do t’i marrë në nivelin qendror. Kjo është antiligjore sepse shkel mbi parimet e dy ligjeve: Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe atë për financa lokale po gjithashtu parimin e i cili buron nga karta evropiane që është autonomia financiare e komunave”tha Ibrahimi.

Në një bisedë për radion tonë Ibrahimi tha se nëse parlamenti miraton një ligj të tillë, do të dëmtohen me dhjetëra miliona euro. Ibrahimi tha po ashtu se është hequr nga strategjia legjislative Ligji për Financa Lokale gjë që ua mundëson të përdoren kritere politike në investime kapitale në Komuna të Kosovës.

 

 

 


    


MË SHUME NGA Kosovë