Rruga “Xhorxh Bush” mbyllet për automjete, hapet për këmbësorë
Kosovë

Rruga “Xhorxh Bush” mbyllet për automjete, hapet për këmbësorë

Qendresa Duraku /RTK

Prej sot është mbyllur për qarkullim të automjeteve rruga “Xhorxh Bush” në kryeqytet , e cila deri më 8 janar të vitit 2023 do të jetë në dispozicion të këmbësorëve, por edhe të aktiviteteve të ndryshme të cilat do të organizohen me rastin e festave të fundvitit. Sipas drejtuesve të Komunës, kjo mbyllje është e përkohshme dhe nuk ka të bëjë me qarkoren njëkahore, pasi për të do të merret vendimi në marsin e vitit të ardhshëm.

Rruga “Xhorxh Bush” ka filluar të dekorohet me flamuj kombëtarë. Këtu tashmë janë vendosur edhe shtëpizat e drurit në të cilat do të shiten pije e ushqime për vizitorët.

Qytetarët të cilët këtë ditë vikendi kishin zgjedhur ta frekuentojnë këtë rrugë, u shprehën të kënaqur me ndalimin e automjeteve.

"Ka ardhur momenti dhe koha me pas edhe ne hapin e lirë”, thotë Azem Geci, qytetar.

"Unë e përkrahi  në përgjithësi, jo vetëm  këtë rrugë po krejt në rreth e kisha bllokua Prishtinën, me aplikua me ecë më shumë në këmbë", thotë Afrim Gashi, qytetar.

Në fakt kjo rrugë u bllokua për veturat për tri herë radhazi nga Komuna e Prishtinës kur u testua qarkorja njëkahore.

Megjithatë, drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu thotë se kjo tani nuk ka të bëjë me qarkoren njëkahore, pasi siç u shpreh ai, deri më 8 janar do të jetë në dispozicion të festave.

“Sa i përket transportit publik, i cili deri më tani ka kaluar nga rruga”'Xhorxh Bush”, Musliu thotë se as për këtë pjesë nuk do të ketë problem sepse është bërë tanimë riorganizimi i linjave.


MË SHUME NGA Kosovë