Shtatorja e Anton Çettës vendosët në Prishtinë
Valjeta Shala/RTK
Në kuadër të manifestimeve për Ditën e Flamurit, sot në Prishtinë, u përurua edhe shtatorja e veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, profesor Antion Çettës.
Profesor Jahja Drançolli deklaroi se Anton Çetta ishte një largpamës dhe vizionar i madh.
“Kjo shtatore nuk është ngritur me kritere partiake apo politike, por ka një bazë të gjerë intelektuale të bazuar në bindje të fortë njerëzore se vepra e Anton Çettës nderon çdo shqiptar kudo që është”, tha profesor Drançolli.
Ai solli në kujtesë kontributin e profesor Çettës si në fushën e arsimit, ashtu edhe në atë të organizimit shoqëror.
Profesor Drançolli tha se Anton Çetta nxori disa breza profesorësh e studiuesish të gjuhës shqipe.
“Por mbi të gjitha, ai nxori traditën shqiptare nga institucioni individualist i odave, për ta bërë atë pjesë të trashëgimisë kombëtare”, tha profesor Drançolli.
Një fjalë rasti mbajti edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili deklaroi se profesor Çetta, ishte vërtetë i veçantë.
“Të gjithë e njohim punën e palodhshme të tij se si i pajtoi mbi 1800 gjaqe”, tha kryetari Rama. “Ende emocionohemi nga pamja dhe puna e tij”.
Rama deklaroi se Çetta me këtë shtatore vjen si një njëri i urtë e pajtues, siç edhe ishte në realitet. “Çetta na mësoi vyrtytin që të zgjatet dora e si të thuash më fal”, tha kryetari Rama.
Profesor Anton Çetta vdiq me 4 nëntor të vitit 1995 kurse shtatorja e tij, përjetësisht do të qëndrojë në kampusin e Universitetit të Prishtinës.