Obiliq, nënshkruhet kontrata për projektin e sistemit të ngrohjes qendrore
K.Kasumi/ RTKlive
Në komunën e Obiliqit sot është nënshkruar kontrata për realizimin e projektit “Koogjenerimi-shtrirja e rrjetit të sistemit të ngrohjes qendrore në Obiliq”.
Kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka thënë se sot u bënë gjashtë vjet prej kur Kuvendi i Republikës së Kosovës ka votuar Ligjin për Obiliqin, një ligj i cili ka krijuar mundësi të shumta për qytetarët e Obiliqit, “ndaj pikërisht sot kam kënaqësi të ndaj me ju lajmin se kam nënshkruar kontratën për realizimin e projektit ‘Koogjenerimi-Shtrirja e rrjetit të sistemit të ngrohjes qendrore në Obiliq’”.
“Ky lajm i shumëpritur për qytetarët e Obiliqit është vazhdimësi e përpjekjeve për përmirësimin e kushteve dhe cilësisë së jetesës si dhe përkushtimit e angazhimit tonë të përbashkët që Obiliqin ta bëjmë qytetin më të bukur”, ka thënë ai.
Me datë 2 dhjetor (e premte), nga ora 14:00, në qendër të qytetit të Obiliqit do të vendoset gurthemeli për realizimin e këtij projekti.























