Vdes gazetari Seremb Gjergji
Kosovë

Vdes gazetari Seremb Gjergji

K.Kasumi/ RTKlive

Ka vdekur në moshën 47-vjeçare gazetari Seremb Gjergji. Ai ishte ndër gazetarët e parë të Radio Televizionit të Kosovës.

Lajmin e ka dhënë bashkëshortja e tij, Samije Bajraktari-Gjergji.

“Lamtumirë fytyra më e ëmbël e kësaj bote”, ka shkruar ajo në “Facebook”.

Seremb Gjergji ka punuar gazetar në disa medie të shkruara dhe elektronike. Po ashtu, ka qenë aktiv në debate aktuale politike me pjesëmarrje aktive dhe në opinione të shkruara.

Njihet si ndër aktivistët e parë që ka marrë guximin ta shpallë kandidaturën për president të Kosovës si kandidat i pavarur.

I ndjeri ka lënë bashkëshorten Samije Bajraktari-Gjergji dhe dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë.

AGK-ja, telegram ngushëllimi për vdekjen e gazetarit Seremb Gjergji

Asociacioni i Gazetarëve i Kosovës ka publikuar një telegram ngushëllimi për vdekjen e gazetarit Seremb Gjergji.

“Me dhimbje dhe pikëllim të thellë kemi pranuar lajmin për vdekjen e kolegut tonë, gazetarit të mirënjohur Seremb Gjergji. Vdekjen e Gjergjit në moshën 47-vjeçare e kanë bërë të ditur familjarët e tij në mediet sociale”.

Ai e ka vlerësuar lart kontributin e Gjergjit gazetar.

"Seremb Gjergji ka filluar karrierën si gazetar para luftës në Kosovë, ku ka vazhduar veprimtarinë e tij profesionale edhe pas luftës në disa mediume.Kontributin dhe përkushtimin që gazetari Gjergji pati për gazetarinë, e vlerësojmë lartë, njëherësh u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij", thuhet tutje në telegram.

 


MË SHUME NGA Kosovë