Komisioni miraton Projektligjin për Zyrtarët Publikë
Kosovë

Komisioni miraton Projektligjin për Zyrtarët Publikë

K.Kasumi/ RTKlive

(E plotësuar) Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka shqyrtuar dhe e ka miratuar Projektligjin për Zyrtarët Publikë.

Në mbledhjen ku ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, deputetët e partive opozitare kanë paraqitur vërejtjet e tyre lidhur me Projektligjin për Zyrtarët Publikë. Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, theksoi se reformat janë të domosdoshme, por pa ndërhyrje të politikës.

Në fund me shumicë votash ky Projektligj u miratua, derisa kundër votoi PDK, derisa LDK abstenoi.

Shqyrtimi i Projektligjit për Paga pritet të diskutohet nga ora 13:00.

Sveçla: Po shkojmë drejt një administrate publike funksionale

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka mbajtur sot mbledhje, në të cilën është shqyrtuar në parim Projektligji për Zyrtarët Publikë dhe shqyrtimi në parim i Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka folur për çështjen e pagave në sektorin publik para këtij komisioni. 

Ai tha se procesi i kësaj reforme jo të lehtë, përveçse është pjesë e programit të kësaj qeverie, është nevojë e kamotshme për të kaluar nga një administratë e mbyllur dhe me probleme të identifikuara ndër vite drejt një administrate të hapur për të gjithë, që në qendër ka shërbime efikase për qytetarët dhe bizneset.

“E kam potencuar edhe në seancat në Kuvend, edhe në komunikimet publike dhe kudo ku është dsikutuar për projektligjin për zyrtarët publikë, se procesi i hartimit i tyre dhe adresim i çështjeve të ngritura është një objektivë e qartë: administratë publike profesionale dhe mundësi të barabarta”, deklaroi Sveçla. 

Ai tutje shtoi se hartimin e këtij projektligji e kanë kompletuar edhe takimet me palët e interesit përgjatë gjithë fazave.

"...për të kompletuar kështu një projektligj që ka në qendër zyrtarin publik, marrëdhënia e punës e të cilit po rregullohet duke u bazuar në parime të qarta që mundësojnë zhvillim faktik të tij, rrjedhimisht edhe të administratës”, tha Sveçla.


MË SHUME NGA Kosovë