Prokuroria konfirmon arrestimin e të dyshuarit për masakrën e Dubravës
J.Musliu/RTKlive
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka njoftuar se gjatë ditës së sotme, është arrestuar një person, i nacionalitetit serb, me inicialet G.M.
Ai është i dyshuar për krime lufte në Kosovë, konkretisht në masakrën e Dubravës në maj të vitit 1999.
Prokuroria Speciale njofton se në kuadër të hetimit për vrasjet dhe keqtrajtimet e të burgosurve në burgun e Dubravës, gjatë luftës në Kosovë, ka nxjerrë aktvendim për zgjerimin e hetimit kundër të pandehurit G.M.
Kjo për shkak të dyshimit të arsyeshëm se i njëjti ka keqtrajtuar fizikisht të burgosurit e atij burgu si dhe ka marrë pjesë në vrasjen e një numri të madh të të burgosurve gjatë muajit maj të vitit 1999.
Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i ka caktuar të pandehurit G.M. paraburgim në kohëzgjatje prej një muaj.