Përurohet ura në Saradran, Kurti premton investime në Dukagjin
M.Shefkiu/RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, shoqëruar edhe nga kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, përuruan sot urën në Saradran dhe panë nga afër punimet në asfaltimin e rrugës “Lugu i Drinit”.
Kryeministri Kurti me ketë rast ka uruar banorët për këtë projekt, i cili konsiderohet tepër i rëndësishëm për zhvillimin infrastrukturor të Komunës së Istogut dhe Komunës së Pejës.
“Jam këtu bashkë me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe kryetarin e Komunës së Istogut, Ilir Feratin, që ta përurojmë këtë punë të përbashkët, që ka domethënie shumë të madhe për banorët e kësaj zone, por edhe të gjithë qytetarët, të cilët tash do të mund të lëvizin edhe lirshëm edhe më shpejt dhe më mire. Andaj , gjithë banorëve dhe të gjithë qytetarëve, urime rruga e re edhe ura e re”, u shpreh Kurti.
Përurimi i sotëm ishte në kuadër të zbatimit të projektit të titulluar “Ndërtimi i infrastrukturës rrugore dhe bujqësore në Komunën e Istogut dhe Pejës”, i cili përveç urës lidhëse Saradran-Ruhot parasheh edhe ndërtimin e rrugës “Lugu i Drinit”, me gjatësi prej 970 metra.
Po ashtu në ndërtimin e infrastrukturës parashikohet edhe “ndërtimi i rrugëve në Dubovë, me gjatësi prej 1.2 kilometra; ndërtimi i kanalit të ujitjes në Prekallë, me gjatësi prej 1.7 kilometra dhe rivitalizimi i pendës Saradran-Ruhot.
Projekti është në përfundim e sipër dhe pritet të finalizohet brenda muajit, thuhet në njoftimin për media lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.