IKD: Gjatë vitit 2022 u parashkruan rastet e 28 të akuzuarve për korrupsion
Foto:IKD
Kosovë

IKD: Gjatë vitit 2022 u parashkruan rastet e 28 të akuzuarve për korrupsion

E.Hoti/RTKlive

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD),  të hënën, në kuadër të Javës Kundër Korrupsion, ka organizuar tryezë të rrumbullakët, ku është prezantuar raporti me titull “Parashkrimi i Korrupsionit”, i cili është rezultat i monitorimit sistematik që IKD i bënë sistemit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Republikës së Kosovës.

Hulumtuesi i IKD-së, Lavdim Makshana, ka thënë se parashkrimi i rasteve të korrupsionit, por edhe lëndëve të natyrave të tjera, është një ndër shqetësimet kryesore të sistemit të drejtësisë tash e disa vite.

Tutje tha se kjo dukuri ka vazhduar edhe në vitin 2022 dhe ka rrezik potencial që të vazhdojë edhe gjatë vitit 2023. Sipas tij, faktorët të cilët kanë ndikuar në arritjen e parashkrimit janë mos procedimi i lëndëve gjyqësore brenda afateve të përcaktuara me ligj, shtyrja e seancave gjyqësore, numri i madh i lëndëve, ndërrimi i shpeshtë  i trupeve gjykuese, mungesa e gjyqtarëve, si dhe mungesa e stafit administrativ. Po ashtu, deklaroi se faktor tjetër që po ndikon në arritjen e parashkrimit është edhe kthimi i shpeshtë i rasteve në rigjykim, duke shtuar se ka shumë  raste që kthehen në rigjykim dhe afatet kur kthehen në rigjykim janë shumë të gjata.

Ai tha se vetëm gjatë vitit 2022 janë parashkruar rastet ndaj 28 të pandehurve të akuzuar për korrupsion. Këta 28 persona bëjnë pjesë në gjithsej 16 raste.

“Dëmi, sipas Prokurorisë, në këto raste fillon nga 5 euro deri në 5.4 milion euro. Nëse kalkulohet dëmi i pretenduar nga Prokuroria në këto raste, i bie se vetëm brenda vitit 2022 janë parashkruar rastet e korrupsionit, dëmi në të cilat kalon vlerën prej 6 milion eurove. Madje, kjo vlerë llogaritet të jetë vetëm për 11 raste të korrupsionit, pasi në pesë raste të tjera, Prokuroria nuk e ka përcaktuar dëmin në aktakuzë”, ka thënë ai.

Në fund, ai tha se përtej vitit 2022, problemi i parashkrimit të korrupsionit duket se do të jetë evident edhe në vitet pasuese. 

Vilard Bytyqi, anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), ka thënë se në vitin 2022 në krahasim me vitet e kaluara ka pasur një rritje të mbikëqyrjes dhe të administrimit të këtyre rasteve nga ana e Këshillit Gjyqësor.

Ndërkaq, lidhur me rastet të cilat janë parashkruar të përmendura në raport, Bytyqi tha se nuk janë rezultat i vitit 2022, por të viteve të kaluara dhe shtoi se KGJK i ka marrë të gjitha veprimet e mundshme që çështjet e korrupsionit të trajtohen me prioritet të lartë.

Lidhur me mungesën e resurseve humane, ka folur edhe gjykatësi i Departamentit Special të Gjykatës së Apelit, Burim Ademi, për të cilën tha se është sfidë e vazhdueshme e sistemit gjyqësor. Ndërsa, tha se tre-katër muajt e fundit ka filluar të ndryshoj kjo problematikë pasi janë pranuar një numër i zyrtarëve ligjor dhe bashkëpunëtorëve profesional dhe se kjo është shpresë për vet gjyqtarët që do të ketë ndryshime rrënjësore.

Sipas Ademit,  ndryshimi i legjislacionit është njëri ndër faktorët që ndikon drejtpërdrejt në parashkrimin e rasteve penale, e që ka ndikuar edhe këtë vit.

Sipas tij, të dhënat e parashkrimit që rasteve në vitin 2022 janë shqetësuese, sidomos kur vërehet se ka shumë raste.

Sipas gjykatësit të Apelit, kjo gjë pastaj e pengon sistemin gjyqësor në kontekst të efikasitetit.

“Duhet të kemi parasysh se barra kryesore e menaxhimit të një çështje i takon gjykatës, por varet edhe nga palët prezente, që të mos ketë shtyrje të vazhdueshme të proceseve gjyqësore. Duhet t’i shikojmë faktorët real brenda dispozitave ligjore se a janë zbatuar maksimalisht ato dispozita ligjore që palët të mos lejojnë të keqpërdorin të drejtat e tyre duke shmangur vazhdimisht seancat gjyqësore dhe të arrijnë te parashkrimi”, deklaroi ai.

Blerim Kelmendi nga Agjencia  për Parandalimin e Korrupsionit (APK),  tha se nga informatat e marra janë parashkruar më së shumti rastet që kanë të bëjnë me kapitullin e korrupsionit dhe kundër detyrës zyrtare, e sidomos keqpërdorimi i detyrës apo autorizimeve.


MË SHUME NGA Kosovë