Deputetët e opozitës: Ligj për pagat, as gjatë vitit 2023
Kosovë

Deputetët e opozitës: Ligj për pagat, as gjatë vitit 2023

Arbenita Marmullaku /Radio Kosovë

As në vitin 2023, nuk të do të ketë ligj të pagave. Sipas deputetëve opozitarë, në buxhetin e vitit të ardhshëm , nuk parashihet implementimi i këtij ligji. Ndërsa, ekonomistët thonë se qeveria, sa më parë duhet bisedojë me të gjithë akterët për ta jetësuar ligjin për paga me koeficient meritor. Ligjit në fjalë pasi të miratohet nga Kuvendi, i duhet 8 muaj për të hyrë në fuqi.

Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën e shkuar Projektligjin për Pagat, sipas të cilit krijohet sistem i unifikuar i pagave për të gjithë personat që paguhen nga buxheti i shtetit.

Sipas opozitës, edhe nëse ky projektligj miratohet e që kap koston prej 745 milionë eurove, duhen disa muaj deri sa të hyjë në fuqi.

Anëtari i Komisionit për Buxhet në Kuvendin e Kosovës, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, i tha Radio Kosovës se buxheti i vitit 2023, nuk e parasheh në asnjë pozicion ligjin e pagave. Lekaj tha se kur është miratuar buxheti në lexim të parë nuk ka figuruar fare Ligji për Paga. 

“Nuk figuron në asnjë pozicion financiar Ligji për Paga. Kuvendi e ka miratuar në leximin e parë buxhetin si tërësi, por aty nuk figuron Ligji për paga. Tani jemi në leximin e dytë ku mund të shtrohen kërkesa të ndryshme për amendamentim nga ana e deputetëve, shoqërisë civile etj, por unë nuk mendoj se do të hasim mirëkuptim për sa i përket kësaj”, tha Lekaj.

E deputeti i LDK-së Agim Veliu, tha për Radio Kosovën se duhen të paktën edhe 8 muaj për të hyrë në fuqi ky ligj.

 “Buxheti i vitit 2023 nuk  parasheh Ligjin e pagave. Sipas klauzolës së fundit, hyn në fuqi 8 muaj pas aprovimit”, tha Veliu.

Por njohësi i ekonomisë, Ardian Sahiti, tha se duhet të ketë saktësi të koeficienteve në Ligj të pagave. Ai tha se Ligji për paga duhet të jetësohet sa më parë për shkak të gjendjes me inflacionin.

"Ky ligj përveç që duhet jetësohet sa më parë,duhet të jetë me saktësi të përkryer, sepse nuk lejohet me ligj që të ketë pabarazi. Duhet angazhohen të gjithë ekspertët në mënyrë që të zbuten pabarazitë dhe t’u jepet në mënyrë meritore vlera e koeficienti secilës kategori”, tha Sahiti.

Koeficienti më i lartë i cili është 18 sipas projektligjit, i takon vetëm presidentit të Kosovës. Ndërsa 17.5 i takon kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, mjekëve 12 e mësimdhënësve 5.6. Pas miratimit në Qeveri, projektligji duhet të miratohet edhe në Kuvendin e Kosovës ndërsa hyn në fuqi tetë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.


MË SHUME NGA Kosovë