Policia e Kosovës konfirmon incidentet në veri, nuk ka të lënduar
BKT
Foto: RTKlive/Arkiv
Kosovë

Policia e Kosovës konfirmon incidentet në veri, nuk ka të lënduar

Afet Bela/RTKlive

(E plotësuar, ora 17:01) Policia e Kosovës, ka njoftuar se pasditës së sotme, në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës Veri janë regjistruar disa incidente (dyshohet shkrepje armësh e shpërthime), por deri në këto momente nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, përderisa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor.

“Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore, në vazhdimësi po angazhohet në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore komfor situatës dhe zhvillimeve në gjithë vendin, përfshirë zhvillimet në Veri të Mitrovicës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit, duke u bazuar edhe në bashkëpunimin ndërinstitucional i ka bërë kërkesë Policisë së Kosovës për asistencë rreth përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në komunat në veri të vendit”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Me këtë rast, Policia e Kosovës njofton se në lidhje me zhvillimet e sigurisë në veri të vendit se, sot në komunat Zubin Potok dhe Mitrovicë Veri, njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veri me qëllim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore.

“Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë dhe vlerëson situatën e sigurisë në vend dhe ndërmerr masa të nevojshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Pas incidenteve në veri, KQZ mblidhet sonte në mbrëmje

Jeton Musliu/ RTKlive

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve mblidhet sonte në në orën 18:00, pas situatës së krijuar në veri të vendit.

Kjo pasi serbët lokalë në veri të Republikës, nuk kanë lejuar sot që zyrtarët përkatës për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme me 18 dhjetor, në katër komunat, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, të kryejnë detyrën zyrtare.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në deklarim për RTKlive, sqaroi se ky institucion, është në pritje të njoftimeve nga Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve, të cilët gjatë ditës së sotme, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, kanë shkuar në zyrat e tyre, në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok, me qëllim të ushtrimit të detyrave zyrtare.

“Por  kjo nuk ishte e mundur”, tha Elezi për RTKlive.  “Në këto raporte do të sqarohet situata e krijuar”.  Ai tha se KQZ-ja është në koordinim të vazhdueshëm me institucionet tjera.

“Lidhur me situatën e krijuar, KQZ-ja do të mbajë mbledhje, sot, me fillim në orën 18:00”, ka thënë Elezi.

Veprimet e KQZ-së pasojnë dy shpërthime të cilat janë dëgjuar pasditen e së martës në Zubin Potok, ndërsa tri të tjera në Mitrovicë të Veriut.

 Në këto komuna të banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës, sipas raportimeve të disa mediave serbe, shpërthimet ndodhën në kohën kur anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor, nën përcjelljen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, hynë në hapësirat e objektit komunal.

Gjithashtu, në Mitrovicën e Veriut u dëgjuan sirena e alarmit rreth orës 15:00. RTKlive ka tentuar të marrë sqarime nga Policia e Kosovës në lidhje me këtë ngjarje, por kjo ishte e pamundur.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur më pas 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve në veri.

Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar - i kundërshton këto zgjedhje.


MË SHUME NGA Kosovë