Një delegacion i Asociacionit të Komunave të Kosovës viziton Izraelin
K.Kasumi/ RTKlive
AKK ka njoftuar se me ftesë të Asociacionit të Autoriteteve Lokale në Izrael, një delegacion i Asociacionit të Komunave të Kosovës, të prirë nga kryetari Agim Aliu po qëndrojnë në një vizitë në Izrael.
AKK thotë se gjatë kësaj vizite, delegacioni i AKK-së do të marrë pjesë në Konferencën “MuniWorld2022” e ku pati pritje nga Isaac Herzog, presidenti i shtetit të Izraelit - pritje për kryetarët e komunave - pjesëmarrës në ‘MuniWorld’ si dhe nga Moshe Lion, kryetari i Komunës së Jerusalemit - pritje e delegacioneve ndërkombëtare.
Poashtu gjatë kësaj konference do të ketë seancë plenare “Progreset komunale për mposhtjen e sfidave globale” si një takim unik ndërkombëtar që fokusohet në sfidat që prekin komunat në mbarë botën.
“Konferenca ‘MuniWorld2022’ do të shërbejë si një platformë për ndarjen e vizioneve, metodologjive dhe praktikave më të mira për promovimin e qëndrueshmërisë, fleksibilitetit dhe inovacionit komunal dhe global, që do t'u shërbejë komunave në mbarë botën” , thuhet në njoftimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës në Facebook.
Sipas këtij njoftimi, folësit në konferencë do të përfshijnë kryetarë të komunave, palët e interesit të niveleve të larta dhe figura kyçe nga sektori i biznesit, qeveria dhe akademia.
“Në këto takime do të shqyrtohen edhe temat si: Udhëheqja dhe llogaridhënia komunale si faktor për qëndrueshmëri dhe stabilitet lokal dhe kombëtar, pastaj; Komunat si reaguesit e parë dhe agjentët e stabilitetit mes një bote në ndryshim; Si do të jenë komunat në vijën e parë të luftës kundër ndryshimeve klimatike, etj”, thuhet tutje në njoftim.
























