Nga aksidentet me fatalitet këtë vit kanë humbur jetën 98 qytetarë |Video
Fatos Cervadiku / RTK
27 këmbësorë, të aksidentuar nga makinat, kanë vdekur gjatë periudhës janar-nëntor 2022, kështu kanë raportuar nga Policia e Kosovës. E rasti i fundit kur një këmbësor humbi jetën është ai i 9 dhjetorit, ku një grua 45 vjeçe, e cila ishte aksidentuar në Obiliq, të enjten ndërroi jetë në QKUK.
Policia e Kosovës ka treguar për shifrat e aksidenteve në periudhën janar-nëntor të këtij viti, duke i krahasuar ato me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas policisë në periudhën janar-nëntor 2022 kanë ndodhur 87 aksidente me fatalitet, ku kanë vdekur 98 persona, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kanë ndodhur 91 aksidente me fatalitet, ku kanë vdekur 102 persona.
Tutje sipas policisë, në periudhën janar-nëntor 2022 kanë ndodhur 7 mijë e 45 aksidente me 13 mijë e 369 persona të lënduar, derisa në vitin 2021, në të njëjtën periudhë kanë ndodhur 6918 aksidente me 13 mijë e 290 janë lënduar.
Në përgjithësi, 18 mijë e 886 aksidente kanë ndodhur në periudhën e njëjtë të vitit 2022, derisa janë shqiptuar 602 mijë e 858 tiketa. Kurse në periudhën e njëjtë të vitit 2021, kanë ndodhur 19 mijë e 212 aksidente dhe janë shqiptuar 435 mijë 162 gjoba.
Eksperti i komunikacionit, Nol Deda, ka disa këshilla për vozitësit në komunikacion.
“Është e koha që drejtuesit e automjeteve t'u përshtaten kushteve të rrugës, pastaj t'i largohen edhe vozitjeve të larta që na sjellin edhe lodhje, të kenë kujdes më të madh tek drejtuesit e tjerë të automjeteve të mbajnë distancën e sigurisë sepse kushton më jetë”, ka thënë Deda.
Javën e kaluar, në rrugën Arllat-Malishevë, ka ndodhur një aksident mes dy automjeteve, ku një person ka ndërruar jetë.























