Rruga Prekoc-Krilevë, në fshatin Marec, e pakalueshme |Video
BKT
Kosovë

Rruga Prekoc-Krilevë, në fshatin Marec, e pakalueshme |Video

Arlinda Sejda / RTK

Rruga që çon në Marec, përkatësisht Prekoc-Krilevë, është ndarë në gjysmë nga të reshurat e mëdha të shiut.

Vendi ndodhet vetëm tre kilometra larg nga miniera e Artanës. Punëtorët të cilët kanë dalë në orët e hershme të mëngjesit që të shkojnë në punë, kanë qenë të parët që e kanë vërejtur se rruga është e pakalueshme për automjete.

Sami Makolli, banor i fshatit thotë se kjo ka ndodhë mbrëmë në mesnatë, e të njëjtin rast e kanë pasur edhe para 2 viteve .

“Kemi shqetësime se këtu banojmë e punojmë në minierë të Artanës. Në mëngjes kemi ardhur më autobus, kemi ngecë s’kemi mundur të kalojmë dhe jemi kthyer prapa për shtëpi", ka thënë Makolli.

Ai thotë se për shkak të kësaj rruge punëtorët nuk mund të shkojnë në minierë.

Sipas tij, ka një rrugë alternative e cila është e kalueshme vetëm me automjete të vogla.

Në një përgjigje për RTK-në përmes telefonit nga komuna e Prishtinës, përkatësisht drejtori i investimeve kapitale, Krenar Xhaferi, tha se projektin e kësaj rruge e ka financuar Ministria e Infrastrukturës dhe presin reagimin e ministrisë që ta sanojë këtë rrugë dhe t'ua mundësojë qytetarëve të kalojnë lirshëm në këtë segment.

RTK ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga Ministria e Infrastrukturës, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.


MË SHUME NGA Kosovë