RrGK mbajti Kuvendin vjetor, u nda edhe çmimi “Sevdije Ahmeti"
B. H. / RTKlive
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) mbajti Kuvendin e 20-të vjetor të anëtarësisë. Në këtë kuvend pjesëmarrësit patën mundësinë të bashkëbisedojnë rreth aktivizmit të përbashkët në arritjen e barazisë gjinore dhe fuqizimin e gruas në Kosovë.
Kuvendin zyrtarisht e hapi Nermin Mahmuti, kryetare e Bordit të RrGK-së e cila çmoi punën e RrGK-së përgjatë viteve duke thënë se ndihet e nderuar me pjesëmarrjen e saj në këtë Kuvend.
“Rrjeti ka dëshmuar punën e shkëlqyer dhe ka qenë transparent në punë, që është e nevojshme për ata që i përkrahin dhe i përkrah Rrjeti. Përveç misonit për avokim në emër të grave dhe vajzave rrjeti ka arritur të përfaqësojë tashmë 194 organizatat e saj anëtare në ngritjen e kapaciteteve të veta,” tha ajo duke vlerësuar edhe kontributin e anëtarëve të bordit, njofton RrGK.
Këtë vit, për të pestën herë me radhë u bë ndarja e çmimit “Sevdije Ahmeti” si kujtim për aktivisten feministe dhe humaniste Sevdije Ahmeti (1944-2016).
Ky çmim iu nda Resmije Rahmanit (Biba), mobilizuese e grave me aftësi të kufizuara në Organizatën e Personave me Distrofi Muskulare të Kosovës (OPDMK).























