EULEX-i u dërgon ushqime policëve në veri, 9 nga ta transportohen në jug
A.Sejda & J.Musliu/RTK
Për shkaqe shëndetësore, Policia e Kosovës konfirmon se nëntë pjesëtarë të saj, janë transportuar nga pjesa veriore në atë jugore.
Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, konfirmoi për RTK-në se referuar situatës dhe zhvillimeve në veri të vendit, sipas nevojës, policia bashkëpunon dhe mban kontakte të vazhdueshme me institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare.
“Bashkëpunim dhe kontakte të vazhdueshme, Policia e Kosovës mban edhe me KFOR-in, të cilët sot për shkaqe shëndetësore kronike, kanë përkrahur transportimin e 9 zyrtarëve policor nga veriu në jug”, thotë Kelani.
Ndërkohë, përkrahje tjetër për Policinë e Kosoëvs ka ofruar edhe Misioni i EULEX-it.
Shefi i misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, përmes një deklarimi në rrjetin social Twitter, ka njoftuar se pas kërkesës së Policisë së Kosovës, të shtunën e 17 dhjetorit, dërguan furnizime thelbësore për forcat e rendit.
“Me kënaqësi ju njoftoj se pas kërkesës së Policisë së Kosovës, EULEX, më 17 dhjetor, oficerëve të Policisë së Kosovës në pikën e përbashkët të kalimit në Rudnicë/Jarinjë u ka dorëzuar furnizime esenciale, duke përfshirë furnizime ushqimore, veshmbathje si dhe mjete higjienike”, ka shkruar Wigermark.
Sindikata e Policisë së Kosovës, pati lëshuar një komunikatë me anë të së cilës i bëhej thirrje Qeverisë së Kosovës, Presidencës, KFOR-it, EULEX-it e ambasadave të QUINT-it, që të ndërmarrin të gjitha veprimet që të sigurohet lëvizja e lirë për policët të cilët kanë mbetur të bllokuar qe 11 ditë në pjesën veriore të vendit.























