Policia: 1.500 persona në Rudare, s’penguam askënd të protestojë |Video
BKT
Foto: Arlinda Sejda/RTK
Kosovë

Policia: 1.500 persona në Rudare, s’penguam askënd të protestojë |Video

A.Sejda & M.Zakiq / RTK

(Plotësuar) Policia e Kosovës deklaroi se protesta në Rudare të Zveçanit, ka përfunduar e qetë. Megjithatë, forcat e rendit publik, ka demantuar spekulimet për kinse pengimin e autobusëve në Shtërpce, që kishin për qëllim shkuarjen në protestë.

Policia e Kosovës deklaron se janë të pavërteta  deklarimet dhe publikimet e disa mediumeve se kinse autobusë me protestues të cilët kishin për qëllim shkuarjen në protestën e paraparë të mbahet në Rudarë të Zveçanit, janë penguar nga ana e tyre.

“Gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore në funksion të garantimit të ligjit dhe sigurisë, një autobus është ndaluar sipas procedurave të kontrollit rutinor dhe gjatë verifikimit të dokumenteve, disa persona nuk kanë pranuar të legjitimohen nga autoritetet kompetente,prandaj në mënyrë vullnetare (me vetë dëshirë) nuk kanë vazhduar tutje”, deklaroi policia.

Policia e Kosovës rikujton se ashtu siç ka njoftuar përmes komunikatës së saj para fillimit të protestës, ka theksuar njohjen e të drejtës ligjore për të protestuar në mënyrë të qetë nga secili qytetarë si dhe angazhimet policore në respektimin e të drejtave dhe lirive njerëzore pa dallim.

Policia shprehet se sipas vlerësimeve në terren, rreth orës 13:00, protesta ka përfunduar e qetë, pa ndonjë incident të raportuar dhe në të kanë marrë pjesë rreth 1.500 pjesëmarrës.

U mblodhën, folën u larguan-përfundon qetësisht protesta në Rudare

Qytetarëve të mbledhur në Rudare në protestën e thirrur nga serbët lokalë,  iu drejtua edhe kryetari i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, i cili tha se “barrikadat janë përgjigje ndaj dhunës së Albin Kurtit”.

Jevtiq i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të "ndalojë Kurtin".

“Ky tubim është dëshmi se ne jemi të bashkuar në këtë luftë dhe se jemi bashkë”, tha ai.

Sipas Jevtiq, që nga ardhja e Albin Kurtit në pushtet, serbët e Kosovës  po vuajnë terrorin dhe padrejtësinë.

“Po u them përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare se të gjitha protestat tona janë paqësore dhe demokratike”.

Jevtiq us hpreh se lufta e tyre ka një qëllim – “që në zemër të Evropës, sundimi i ligjit të zbatohet plotësisht, por  ne nuk e kemi atë”.

Protestuesve iu drejtua edhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.

“Terrori që pësojmë çdo ditë nga Albin Kurti është arsyeja pse jemi mbledhur sot këtu”, tha kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.

“Sado i madh të jetë pushteti që na kërcënon, për hir të fëmijëve tanë ne do të këmbëngulim në kërkesat tona”, tha ai.

“E keqja që na ka rënë në formë arrestimesh dhe listash sekrete është bërë nga Albin Kurti”, tha ai. “Kërkojmë që të tërhiqen të gjitha listat sekrete, të tërhiqen të gjitha njësitë e forcave speciale nga veriu, pasi policia  ngacmon qytetarët tanë çdo ditë. Pa përmbushur këto kërkesa, nuk do të ketë tërheqje të barrikadave”, shtoi Rakiq.

Pas fjalimeve, protestuesit janë shpërndarë në mënyrë të qetë kurse forca të shtuara të KFOR-it  dhe Policisë se Eulexit ishn gjatë tërë kohës duke monitoruar situatën.

Protestuesit në Rudare: S`jemi kundër shqiptarëve, por kundër Kurtit

Në fshatin  Rudare afër Zveçanit, po vazhdon protesta e serbëve të Kosovës për shkak të arrestimit të ish-policit kosovar, Dejan Pantiq.

Në fillim të protestës, i pari që i është drejtuar protestuesve  ishte  Predrag Pantiq,  djali i të arrestuarit Dejan Pantiq. Ai tha se  ndaj babait të tij, “po zhvillohet një proces politik”  dhe ssipas tij, ai po mbahet në paraburgim,e dhe pse është i pafajshëm.

"Babai im është shpallur fajtor pa vendim gjykate. Mua dhe nëns sime, nuk na lejohet ta vizitojmë. Nuk kemi dëgjuar nga ai nëse është mirë apo jo", tha Predrag Pantiq.

Më pas, ish-gjyqtari Nikola Kabasiq, iu drejtua protestuesve duke pretenduar se  Pantiqit "po shkelen të gjitha të drejtat e njeriut".

"Ne nuk kemi problem me shqiptarët, kemi bashkëpunuar mirë në punë”,tha ai.

“Ne kemi problem me kryeministrin e Qeverisë së Kosovës Albin Kurti dhe ministrat e tij”, tha Kabasiq. “Ne kemi jetuar më parë me shqiptarët dhe do të jetojmë”.

Sipas tij, ka frikë për shkak të listës së supozuar sekrete për arrestime dhe në këtë listë janë serbët e pafajshëm.

Ish-kryetari i komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq, tha se “në barrikada nuk ka kriminelë, por vetëm njerëz që i përgjigjen terrorit të Albin Kurtit”.

"Ne po kërkojmë lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar padrejtësisht, tërheqjen e Njësive Speciale të policisë nga veriu i Kosovës. Ne serbët jemi populli më i kërcënuar në Evropë", shtoi Milloviq.

Përveç qytetarëve të katër komunave në veri, në protestë janë edhe serbët nga komunat tjera të Kosovës.

Serbët mblidhen në Rudare për të protestuar

Arlinda Sejda/RTK

Serbët lokalë tashmë janë mbledhur në fshatin Rudare në Mitrovicën e Veriut.

Ashtu siç kanë paralajmëruar organizatorët, sot në mesditë në këtë vend mbahet protestë.

Pjesëmarrës janë persona të moshave të ndryshme dhe numri i tyre është relativisht i madh.

Shumë nga ta kanë ardhur në mënyrë të organizuar me autobsë, por ka edhe nga ata që kanë mbërritur me automjete private.

Pjesëmarrës janë serbë edhe nga qytete të tjera të vendit, pasi veturat e parkuara në afërsi të vendit ku mbahet protesta, janë me targa nga rajone të ndryshme të vendit si 01, 06 apo 03.

Situata është e qetë dhe ajo po monitorohet nga forcat e sigurisë, si policia e EULEX-it, Policia e Kosovës dhe KFOR-i.

Protesta në veri, policia shton angazhimet për ruajtjen e rendit

M.Shefkiu/RTKlive

Policia e Kosovës iu bën thirrje qytetarëve në veri që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar përgjatë thirrjes së protestës së sotme në veri. Policia thotë se është duke e monitoruar  situatën dhe kërkon nga protestuesit që mos të bien preh e provokimeve.

“Duke ditur rrethanat dhe situatën e brishtë të sigurisë të krijuar nga grupet kriminale në veri të vendit dhe tendencës për destabilizim të situatës, Policia e Kosovës fton qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar përgjatë thirrjes së kësaj proteste, të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato” thuhet në njoftimin e Policisë.

Reagimi i Policisë vjen pas paralajmërimit të serbëve në veri për organizimin e një proteste.

“Sot, në veri të Mitrovicës është paralajmëruar të mbahet një protestë/tubim, andaj lidhur me këtë Policia e Kosovës duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe detyrave të përcaktuar sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, se angazhimet e këtij institucioni në forcimin e rendit dhe sigurisë publike do të vazhdojnë.

“Ofrimi sigurisë ndaj qytetarëve si dhe ndërmarrja e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në veri të vendit, do të vazhdojnë të mbesin ndër objektivat dhe detyrat primare të Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, në Rudar kanë nisur tashmë të mblidhen protestuesit serbë. Protesta e cila është paralajmëruar të mbahet sot. Pritet të nis nga ora 12, ndërsa në këtë rajon janë parë forca të shtuara të Policisë së Kosovës, EULX-it dhe paqeruajtës të KFOR-it.

 


MË SHUME NGA Kosovë