Për skandalin me foshnjën në Pejë, reagon mjeku i shkarkuar
Jeton Musliu/RTKlive
Spitali Rajonal i Pejës ka njoftuar gjatë ditës së shtunë se ka shkarkuar nga detyra, drejtorin Mjekësor dhe Drejtorin për Infermieri.
“Drejtori Ekzekutiv ka shkarkuar Drejtorin Mjekësor dhe Drejtorin për Infermieri”, njoftoi spitali, duke sqaruar se ky vendim është marrë në kuadër të masave lidhur me rastin e trajtimit të frytit të vdekur në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.
Javë më parë një foshnje e vdekur, ishte vendosur bashkë me qarafë brenda lavatriçes.
“Shkarkimi është bërë si përgjegjësi direkte menaxheriale lidhur me rastin e frytit të vdekur”, sqaroi spitali.
Por disa orë më vonë, i shkarkuari, Muhamet Haliti, ka thënë se ai nuk është përgjegjës për rastin.
Përmes një reagimi në Favebook, Haliti e ka lidhur shkarkimin me ndërhyrje politike.
Duke përmenduar emra drejtuesish të sektorëve të tjerë të spitalit, ai pretendon se të njëjtit janë përgjegjës për atë çfarë ka ndodhur.
“Besoj se në këtë shkarkim të padrejtë timin ka ndërhyrje politike”, shkruan Haliti.
Ai ka paralajmëruar ankesë ligjore ndaj vendimit për shkarkim.
























